Shënim: ‘Lufta’ guerrile e Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike kundër Sali Berishës ka marrë përmasa groteske. Këtë herë, me deputetët që ligjërisht e formalisht quhen të Partisë Demokratike, por që në selinë e partisë kanë kohë që nuk shkelin, Basha ka rihedhur për konsum dekomunistizimin.
Përmes Enkelejd Alibeajt është depozituar në Kuvend nisma në emër të PD-së, që në media është shitur si e re, por që është të paktën 4-vjeçare e vjetër. Dekomunistizimi është propozuar për herë të parë nga Lulzim Basha që në 2018-n.
Në atë kohë paketa u propozua si mjet për të shkaktuar zhurmë dhe hequr vëmendjen nga humbja e thellë në zgjedhjet e 2017-s. I njëjti propozim u rikthye për qarkullim në 2021, këtë herë para dhe pas zgjedhjeve, ku Basha sërish doli humbës.
Basha dhe Alibeaj e cilëson si mision të Partisë Demokratike dekomunistizimin e shoqërisë. Por çfarë parashikohet nëtë? Dokumenti prej 12 faqesh ka si pikë kryesore ndalimin me ligj të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Disa nga pikat kryesore të tij ishin:
• Me ligj do të ndalohet çdo simbol komunist, siç është flamuri i Partisë Komuniste të Shqipërisë, me yll pesë cepash, drapër e çekan, portretet e diktatorit Enver Hoxha si dhe çdo portret tjetër që lidhet me të shkuarën e diktaturës.
• Ndalohet me ligj çdo imazh, parullë që lidhet me diktaturën komuniste.
• Do të rishikohen emrat e rrugëve, qyteteve, shkollave, ndërmarrjeve, emra ose pseudonime, te personave që lidhen me diktaturën.
• Të ndalohet me ligj Partia Komuniste e Shqipërisë.
• Të ndalohen të gjitha veprat intelektuale, apo artistike, të cilat kanë propaganda komuniste, një ndër to do të jenë dhe filmat e shfaqur gjatë periudhës së diktaturës hoxhiste.
• Do të shfuqizohen të gjitha dekoratat, titujt, e marra gjatë kohës së diktaturës.
Pra, tre dekada pas rënies së regjimit, Partia Demokratike, e cila ka qenë në pushtet thuajse gjysmën e kësaj kohe, kërkon të ‘çkomunistizojë’ shoqërinë shqiptare. Por, me parashikimet e dokumentit, më shumë se dekomunistizim bëhet fjalë për fshirje historie.
Megjithatë, më shumë se sa nismë që synon të godasë Edi Ramën, lëvizja ‘guerrile’ e Lulzim Bashës shënjestron Sali Berishën. Ky i fundit në 13 vite në pushtet me PD-në nuk ka folur për asnjë rast për dekomunistizim, ndërsa ish të përndjekurit i ka gënjyer e mbajtur për elektorat.
Ironik është fakti që vetë forma e luftës e zgjedhur nga Basha, pra ajo guerrile është në vetvete ‘komuniste’.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.