
Shënim: Ka kohë që në Shqipëri anormalja po shitet e perceptohet si normale dhe si normal po u duket çmimi i naftës edhe qytetarëve e shoqërisë civile që protestojnë për hiçgjë.
Bordi i kartelit e kërceu 258 lek për litër çmimin e naftës, por përveç konstatimit dhe habisë së shprehur përmes tastierës, asnjë reagim tjetër nuk ka.
Askush nuk flet për revoltë, për protesta. Të gjithë aktorët e protagonistët e ‘shpirtit rebel’ të shoqërisë i ka kapur heshtja, përgjumja dhe një popull i përgjumur, që është apatik edhe kur i fusin duart në xhepat e grisur meriton shumë më keq se sa të vidhet nga një grusht oligarkësh karburantesh.
Po shoqëria civile ku shkoi? Çfarë u bë me ata që bënin gara kush të ngjirej e çirrej me shumë me megafonë e mikrofonë në podium në protestat e fillimit të marsit, kur nafta ishte edhe më e ulët se sa sot?
A i mbushën oligarkët xhepat e tyre? Se arsye tjetër që të shpjegosh heshtjen e tyre është e vështirë të gjendet. Po opozita ‘e vërtetë’ e Sali Berishës çfarë po bën? Po, i vetmi reagim i kreut të sapozgjedhur të PD-së është konstatimi i çmimit në një shënim shkurt që e mbyll me fjalën “turp”.
Berisha hesht përballë oligarkëve, sepse ata janë po ata që e nisën e fuqizuan biznesin e tyre gjatë qeverisjes së tij.
Prandaj, njeriu që vjeshtën e kaluar bënte thirrje për protesta foltore më foltore për të protestuar për shkeljen e rëndë të sovranitetit kombëtar, që sipas tij po i bënin Shqipërisë ndërhyrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur shqiptarëve u hiqet buka e gojës përmes çmimeve abuzive thjesht konstaton e hesht.
Që çmimi i karburanteve në Shqipëri është më i lartë se kudo në rajon, këtë e sheh edhe bufi. Prandaj konstatimi është thjesht një ‘larje goje’ për të bërë sikur po mbron interesin e qytetarëve, por në anën tjetër mbron oligarkët e naftës, njëri prej të cilëve përflitet se ka financuar fushatën e Berishës më 6 mars, të paktën në Bashkinë e Vorës.
Prandaj, me shoqërinë civile të blerë dhe opozitën e vërtetë e atë të rreme të shitur, sot çmimi i karburanteve e gjithë zinxhirit të ushqimeve ka dy rrugë: ose të vendoset abuzivisht nga oligarkët, ose qytetarët të dalin në rrugë e t’i thonë stop vjedhjes!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.