Mania për të kapur sa më shumë klikime, e çoi sot median drejt një gafe të rëndë. Një hero të Forcave Zjarrfikëse, media sot e akuzoi si autor të zjarrit në Sazan . Bëhet fjalë për zjarrfikësin Luan Kapaj.
Lajmi u shpërnda me shpejtësinë e erës, njësoj siç përhapen flakët e zjarrit që Luani mundohet t’i shuajë dhe u publikua nga shumë media me kryetitullin “zbulohet zjarrvënësi i ishullit të Sazanit”.
Pa asnjë lloj verifikim, videoja që qarkullonte në mesazhe WhatsApp-i u hodh menjëherë në webe, ndërkohë që në radhë të parë Luan Kapaj aty shfaqej me uniformën e zjarrfikësit. Së dyti, qielli ishte “pushtuar” nga tymi dhe pemët nga flakët, ku nuk dukej aspak se ishte momenti i vënies së zjarrit. Së treti, Luan Kapaj sheh me fytyrë nga videoja dhe ata që filmojnë duken shumë miqësorë me të ku e thërrasin edhe në emër.
Dhe së katërti edhe më kryesorja, fytyra e Luan Kapajt njihet. Ai ishte heroi i heshtur i ditëve pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 ku shpëtoi disa jetë që ndodheshin nën rrënoja. Kryeministri Edi Rama i ka dhënë atij medaljen e artë të vlerësimit profesional për punën e tij dhe shumë media e kanë marrë atë në intervistë. Luan Kapaj nuk është i njohur vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë Shqipërinë.
Por, siç duket, videoja nuk është parë aspak nga gazetarët edhe është publikuar menjëherë për të marrë klikimet.
Edhe nëse Luan Kapaj aty ka dyshime se është duke ndezur zjarr, sërish është taktikë e zjarrfikësve që djegin një territor të vogël që e kanë nën kontroll, për të parandaluar përhapjen e zjarrit të madh.
Sot, të gjitha ato media që e bënë këtë gafë, duhet t’i kërkojnë falje një heroi. Luan Kapaj i cili po lufton me flakët u bë zjarrvënës.
Le të jetë kjo e sotmja një mësim i mirë për shumë media për t’u mos u përsëritur herë tjetër.