
Qeveria ka shpallur në fillim të muajit prill një tjetër investitor strategjik dhe në një tjetër zonë të lakmuar, duke ‘mbyllur’ për qytetarët një prej plazheve më të bukura të bregdetit shqiptar.
“Marina Hills” është investimi strategjik i miratuar nga Qeveria për zhvillim në Kalanë e Turrës në Kavajë. Ai mbërrin si propozim nga kompania “Finsec Development”, e regjistruar në Zvicër dhe planifikuar për zhvillim në krah të Plazhit të Gjeneralit, i marrë gjithashtu nga Shpëtim Shijaku po në statusin e investitorit strategjik.
Dy projektet janë përplasur me njëra-tjetrën sa i takon sipërfaqes. “Marina Hills” shtrihej në një sipërfaqe prej 400 hektarësh, por është reduktuar në rreth 160 hektarë pasi pjesën tjetër e ka marrë “Mediterranean Ëave” e Shpëtim Shijakut.
Sipas të dhënave zyrtare, “Marina Hills” zotërohet në 70 për qind nga “Finsec Development” dhe 30 për qind nga 25-vjeçari Greg Xhillari. Vlera e projektit sipas dokumentacionit të dorëzuar, parashikohet të jetë 450 mln euro dhe do të gjenerojë punësim për 200 persona.
Zona e Kalasë së Turrës edhe më herët ka qenë pjesë e vendimeve të dyshimta, ku më kyçja mbetet ajo për ndërtimin e një porti përmes një kontratë koncesionare të firmosur në vitin 2013, të quajtur “Porto Albania”.
Porto Albania dhe Marina Hills, sipas ekstrakteve të QKR-së kanë të njëjtin administrator, shtetasin Artan Kraja.
Ligjit për investimet strategjike i skadon afati vitin e ardhshëm. Ai është shtyrë dy herë, ku hera e fundit ishte në vitin 2021.
Janë një mori investitorësh strategjikë të dhënë sipas këtij ligji për ndërtime vilash, hotelesh e resortesh në bregdet. Për mënyrën se si është dhënë ky status, opozita ka kërkuar në Kuvend ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.