Opozita është e përçarë për shumë gjëra, por nëse ka diçka që e bashkon më fort se çdo kauzë tjetër opozitare është vullneti i hekurt për të heshtur përballë koncesioneve të majme që siguron biznesmeni Bashkim Ulaj.
Sali Berisha, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e të tjerë aktorë kryesorë e dytësore që opozitarizmin thonë se po e bëjnë në emër të qytetarëve shqiptarë kanë heshtur përballë denoncimeve të medias për koncesionin Thumanë-Kashar.
Berishës ‘nuk po i shkruan’ denoncuesi dixhital për këtë koncesion, Lulzim Basha po shijon kohën e lirë pa shumë angazhime pas dorëheqjes si kryetar i Partisë Demokratike, ndërsa Monika Kryemadhi vazhdon të denoncojë një koncesion që pë nga vlera është thuajse sa një e katërta e shumës që do të sigurojë Bashkim Ulaj me një të rënë të lapsit.
Që të gjithë pretendojnë se janë opozita e vërtetë, ajo e kulluara që po përballet me ‘korrupsionin’ e Qeverisë. Por, të gjithë e kanë qepur gojën në këtë aferë, ndërsa në të shkuarën edhe në ato pak raste që e kanë përmendur, kanë kafshuar gjuhën më pas.
Kështu i ndodhi Lulzim Bashës kur fliste ‘si e korra pas të vjelës’ për aferën e DH Albanias në Unazën e Re. Ish-kreu i PD-së, që denonconte me emra oligarkët pranë Qeverisë, sipas tij, nuk pati guximin asnjëherë të përmendte emrin e Bashkim Ulajt në kohën kur ishte drejtues partie. A mund të gjejë guxim për ta denoncuar tani që ofiq të vetëm ka karrigen e deputetit?
Për Sali Berishën arsyeja se pse nuk flet është e qartë. Ai ka një lidhje të hershme me Ulajn, madje edhe zyrën para se të rikthehej në selinë e PD e kishte zhvendosur të një prej kullave të Gener 2. Po Monika Kryemadhi, denoncuesja e flaktë e aferave korruptive pse hesht?
Po, Presidenti Ilir Meta që ka ngritur shpesh shqetësimet e veta në lidhje me tenderat, koncesionet e PPP-të dhe borxhin e lartë të vendit, pse hesht për Thumanë-Kashar?
Kjo është sot opozita, ajo që ndan veten në të vërtetë dhe farsë. Por, e vërteta e vetme është hipokrizia e opozitarizmit, e Saliut, Lulit, Monës e të gjithëve bashkë. E vërteta është se opozita vetë është një farsë, përsa kohë edhe denoncimet e aferave të dyshuara korruptive i trajon njërën si të nënës, tjetrën si të njerkës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.