Sa më shpesh mblidhet bordi i transparencës për caktimin e çmimeve të karburanteve, aq më thellë futet dora në xhepat e shqiptarëve. U bënë disa mbledhje të këtij bordi, që transparencën e ka vetëm në emër, që çmimi i naftës dhe benzinës rishikohet vetëm me rritje.
Arsyeja që jepet për çdo rast është e njëjtë dhe e thatë; çmimi në tregjet ndërkombëtare. Vërtet çmimi i naftës u rrit në tregjet ndërkombëtare të shumicës, duke reflektuar vendimin e Bashkimit Europian për të ndaluar pjesërisht naftën dhe gazin rus.
Por, vendimi i BE u mor pasditen e së martës dhe në bursat ndërkombëtare u reflektua paraditen e së mërkurës, kur u hapën bursat. Çmimi i shitjes me pakicë nuk ndryshoi në Itali, duke qëndruar në rreth 1.95 euro, ndryshoi pak në Maqedoninë e Veriut, duke shkuar në rreth 1.55 euro.
Në të dyja këto vende nuk ka bord transparence për çmimin e karburanteve. Pra, tregu është i lirë dhe vepron sipas rregullave të një tregu të lirë pa u shtrënguar nga bordet. Çfarë ndodh në Shqipëri ku ka bord?
Çmimi i naftës në Shqipëri është rritur me thuajse 20 lek brenda javës, duke u bërë vendi më i ndjeshëm ndaj luhatjeve të bursës...dhe humorit të bordit të transparencës.
Nëse bordi synon vërtet transparencën, atëherë duhet që së pari të bëjë publike importin ditor të naftës në Shqipëri, konsumin mesatar ditor, çmimin që shitet në vendet fqinje, fitimin ditor të kompanive, sidomos të kompanive të mëdha dhe të tjera të dhëna që i shërbejnë transparencës.
Në këtë formë të caktimit të çmimeve, bordi nuk është as më shumë dhe as më pak një shtojcë e oligarkëve të karburanteve që ligjëron duopolin e Kastratit dhe Gegës në këtë treg, duopol që u jep mundësinë të caktojnë edhe çmimet fiktive.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.