
Në ditët e para të marsit të vitit të kaluar, Policia Ushtarake ndërhyu duke bllokuar një ndërtim disakatësh brenda bazës ushtarake detare të Shëngjinit.
Ndërhyrja e Policisë Ushtarake u bazua në ligjin “Nr. 13/2015” Për Policinë Ushtarake, pasi më herët Policia e Shtetit kishte dështuar të çlironte pronën e Ministrisë së Mbrojtjes. Arsyeja ishte sepse kompania që po ndërtonte brenda bazës kishte një leje të rregullt ndërtimi, si dhe dokumente po të rregullta pronësie të truallit, që ja kishte blerë ish-pronarit të kompensuar sipas ligjit të kompensimit.
Policia Ushtarake u aktivizua me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, madje në interpelancën me Ferdinand Xhaferajn të hënën, ministri e solli si rast këtë për të treguar se si po mbronte pronat e ushtrisë.
Por, dy dytë nga ky moment po Niko Peleshi propozon në Qeveri një projektligj që i heq Policisë Ushtarake kompetencat për mbrojtjen e pronave të ushtrisë. Projektligji është miratuar në mbledhjen e Qeverisë dhe pritet që t’u nënshtrohet procedurave parlamentare për miratim.
Aty propozohen një sërë nenesh për t’u ndryshuar, por pjesa më e madhe e tyre janë thjesht estetikë, ndoshta për të mbuluar qëllimin e vërtetë të këtyre ndryshimeve, që është lënia në mëshirë të fatit të pronave të ushtrisë, sidomos të atyre në bregdet që janë edhe më të lakmuarat nga oligarkët.
Ndryshimet thelbësore janë dy. Neni 2 i ligjit të 2015-s për Policinë Ushtarake dhe neni 33 i po të njëjti ligj. Sipas parashikimeve në fuqi, Policia Ushtarake ka për detyrë, mes të tjerave, që të mbrojë pronat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të ushtrisë.
Të dy nenet propozohen që të ndryshojnë duke e bërë Policinë Ushtarake mbështetëse në mbrojtjen e këtyre pronave dhe jo aktor kryesor të mbrojtjes së tyre. Se kush do të jetë aktori kryesor i mbrojtjes, projektligji nuk e saktëson.
Ndryshimet vijnë në një kohë që debatet mbi pronat e ushtrisë, sidomos në katër bazat bregdetare të Pashalimanit, Kepit të Palit, Palermos dhe të Shëngjinit janë nën presionin e oligarkëve.
Lënia e tyre jashtë kompetencës së mbrojtjes nga Policia Ushtarake ua lehtëson punën për të bërë fakt të kryer gllabërimin e këtyre pronave dhe më pas ligjërimin e kësaj grabitjeje, për më tepër që 133 hektarë të tyre janë hequr nga plani i përhapjes së Forcave të Armatosura.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.