Çmimi i naftës dhe “nafta” që i bëri Shoqëria Civile. Pse u zhdukën protestat?

3 June 2022, 13:01Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çmimi i naftës dhe “nafta” që i bëri
Protesta per rritjen e çmimeve

SHËNIM: Kur çmimi i naftës kërceu mbi 200 lek për litër në fillim të marsit, mijëra shqiptarë të zemëruar dolën me të drejtë në rrugë dhe sheshe për disa ditë me radhë për të protestuar kundër rritjes së çmimit, që veç arsyeve të luhatjes në tregjet ndërkombëtare, në Shqipëri ka edhe një pjesë të madhe abuzimi.

Kulmi ishte me protestën kombëtare të thirrur më 9 mars. Për nga pjesëmarrja ajo u krahasua po aq masive sa protesta e vjeshtës së 2013-s kundër armëve kimike dhe aktorët e përhershëm të shoqërisë civile u vunë në rresht kush e kush të kapë i pari megafonin.

Denoncuan me radhë se si po vidheshin, kërkuan heqje akcize e ulje taksash dhe të eksituar nga pjesëmarrja masive në protestë ‘kërcënuan’ Ramën dhe oligarkët se do t’i kishin përballë deri kur çmimi të ulej sa në vendet e rajonit.

Deri në këtë moment, qeveria dhe kryeministri Edi Rama patën larë duart duke thënë se çmimet nuk i vendos qeveria, por i vendos tregu i lirë, “që kemi zgjedhur prej 30 vitesh”.

Por, pas kësaj proteste qeveria ndryshoi mendim dhe ngriti një bord, që emrin ja vuri Bordi i Transparencës. Bordi ishte një tryezë e përbashkët me importuesit e mëdhenj të karburanteve, pra përfshirë këtu edhe Kastratin dhe Gegën.

Mbledhja e parë e bordit u mbajt më 12 mars, ndërkohë që protestat vazhdonin, megjithëse jo në përmasat e asaj të 9 marsit. Bordi nisi lojën e vendosjes së çmimeve psikologjike. Nafta ra nga 223 lek në 217 lek në mbledhjen e parë.

E kështu me radhë çmimi në mbledhjet pasuese vazhdoi të lëvizte deri në 5 lek ulje e ngritje nga mbledhja në mbledhje e bordit. Protesta u shua, aktivistët e aktorët e shoqërisë civile mbushën ekranet televizive...ndërsa shqiptarët po paguanin.

Prej asaj kohe nafta nuk rënë asnjëherë në nivelin e vendeve të rajonit, që e kanë nën 200 lek për litër. Sot, çmimi i vendosur nga karteli i karburanteve, siç e quan deputeti Erion Braçe është 248 lek, pra edhe më i lartë se çmimi që nxiti protestën.

Po ku është sot shoqëria civile? Ku janë aktorët e saj që u çorrën e ngjirën me megafon e mikrofon në dorë duke denoncuar vjedhjen e shqiptarëve? Pse po heshtin? A u shitën? A u blenë nga karteli me tolona falas? Po shqiptarët, kaq shumë lek paskan pasur që janë strukur dhe pajtuar me vjedhjen që po u bëhet?

Se që bëhet fjalë për vjedhje, shitja nga disa pika karburanti poshtë çmimit të fiksuar nga bordi i kontrolluar nga Kastrati e Gega është prova më e qartë. Sot, pikat e karburanteve që nuk janë nën kontrollin e tyre po e shesin deri në 13 lek më poshtë litrin e naftës.

Po, ata po dalin me humbje, ashtu siç deklaroi se po del karteli i karburanteve? Jo! Ata po fitojnë, por thjesht nuk kanë grykësinë e oligarkëve që janë gati t’i pinë edhe pikën e fundit të gjakut këtij populli.

Të gjithë po fitojnë. Po fitojnë oligarkët e karburanteve, po fiton qeveria që arkëton më shumë të ardhura dhe transferon tërthorazi krizën e çmimeve të konsumatori dhe ndoshta kanë fituar edhe protestuesit profesionistë me syze të shtrenjta mbi kokë që s’lënë foltore, megafonë e mikrofonë pa zaptuar, por që zemërimin e qytetarëve kundër padrejtësive e përdorin për të mbushur xhepat e tyre.

...të vetmit që po humbasin janë qytetarët.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video