Bordi i Çetit harron të mblidhet, Kastrati miliona lek fitime vetëm nga çmimi abuziv i naftës

6 June 2022, 20:51Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bordi i Çetit harron të mblidhet, Kastrati miliona lek fitime
Shefqet Kastrati zotëron pjesën dërrmuese të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve

Shënim: Prej gati një jave shqiptarët po e paguajnë çmimin e naftës me 248 lek dhe në mungesë të një reagimi qytetar, bordi i çmimeve ka harruar që të mblidhet për ta rishikuar këtë çmim.

Në historikun jetëshkurtër, por thellësisht klientelist të këtij bordi ka pasur një rast kur çmimi është rishikuar brenda ditës me rritje. Por, kur vjen puna për ta ulur atë, bordi i Çetit bëhet dembel.

Si rregull, bordi duhej të ishte mbledhur ditën e premte, kur në tregjet ndërkombëtare nafta u ul pas vendimit të BE për të importuar karburante nga Venezuela dhe deklaratës së OPEC për të rritur prodhimin.

Por, bordi i Çetit mblidhet vetëm kur çmimi i karburanteve rritet në bursat ndërkombëtare dhe përgjatë të gjithë fundjavës shqiptarët e blenë litrin e naftës te pikat e kontrolluara nga Shefqet Kastrati me 20 lek më shtrenjtë se te pikat jashtë kontrollit të kartelit të hidrokarbureve, siç e quan deputeti Erion Braçe.

Nëse merret konsumi mesatar ditor prej rreth 1500 tonësh në ditë, vetëm nga kjo diferencë në çmim, Çet Kastrati ka arkëtuar rreth 600 mln lek.

Pra, koha është flori për Çetin dhe sa më shumë vonohet bordi që të mblidhet dhe rishikojë çmimin, aq më shumë arkëton ai.

Deputeti socialist, Erion Braçe e ka cilësuar bordin si ligjërues të kartelit të karburanteve, duke treguar se në pikat e shitjes me pakicë që furnizohen të Kastrati e Gega, por që nuk janë nën kontrollin e tyre, çmimi është deri në 13 lek më lirë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video