ARRSH 'nderon' me 12 mln euro Sadri Abazin në një tender pa garë

8 June 2022, 18:43Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
ARRSH 'nderon' me 12 mln euro Sadri Abazin në një tender pa
Ish-deputeti i PS, Sadri Abazi

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dorovitur me rreth 12 mln euro Sadri Abazin dhe nipin e tij, Arbër Abazi që janë shpallur fitues në një tender pa garë të mbajtur në muajin prill.

Kompanitë “ALKO-IMPEX General Construcion”sh.p.k dhe “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” sh.p.k kanë fituar lotin 2 të tenderit për mirëmbajtjen katërvjeçare të rrugëve në rajonin verilindor dhe qendror.

Vlera e përgjithshme e tenderit pa TVSh shkon në rreth 12 mln euro, ose 1.4 miliard lek.

Procedura është klasifikuar me flamur të kuq nga “Open Data Albania” nën dyshimet se fituesi ka qenë i paracaktuar. Konkurruesit e vetëm në këtë tender ka qenë bashkimi i dy kompanive.

Kompania e parë, “ALKO-IMPEX General Construcion”sh.p.k është e regjistruar në Shqipëri si degë e një kompanie kosovare me zotëruar një shtetas të Kosovës, por që dyshohet se pas tyre qëndron ish-deputeti socialist, Sadri Abazi.

Kompania e dytë, “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” sh.p.k është në pronësi direkte të nipit të Sadri Abazit, Arbër Abazi.

Lidhja e ngushtë mes këtyre dy kompanive përforcohet nga fakti që në 4 vitet e fundit bashkimi i tyre në tendera dhe procedura koncesioni është shpallur fitues në gjashtë raste, duke llogaritur këtu edhe rastin e fundit të tenderit të mirëmbajtjes së rrugëve të 11 prillit të ARRSh-së me vlerë 1.4 mld lek.

Në total, shuma e përfituar nga dy kompanitë shkon në 2.3 miliard lek, ose rreth 20 milionë euro, para që kanë shkuar nën xhepat e ish-deputeti Sadri Abazi dhe nipit të tij, Arbër Abazi.

Loti 2 i Autoriteti Rrugor Shqiptar është pjesë e një tenderi të ndarë në katër lote me shumën totale rreth 41 mln euro për mirëmbajtjen e akseve rrugore kryesore të vendit për katër vitet e ardhshme.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video