
Para zgjedhjeve të 2017-s, Xhelal Mziu si kryebashkiak i Kamzës ishte në një përplasje ballore me qeverinë e Edi Ramës dhe mes çështjeve të kësaj përballjeje ishte edhe menaxhimi i mbetjeve urbane në këtë bashki.
Mziu u padit në prokurori nga ana e IKMT-së para zgjedhjeve për pengim në prishjen e disa objekteve të ndërtuara pa leje, për të cilat kishte vendime shembjeje.
Çuditërisht, një vit më vonë e gjithë zhurma ndaj kryebashkiakut të Kamzës u harrua dhe Mziu iu rikthye “biznesit si zakonisht”. Në maj të 2018-s, thuajse një vit nga zgjedhjet, ai jep me koncesion 12-vjeçar pastrimin e Bashkisë së Kamzës.
Fituesi?
Kompania ALKO-IMPEX General Construcion, që në letra rezulton si degë e një kompanie të regjistruar në Kosovë me pronar shtetasin Imer Ademi, por që pas të cilës dyshohet se qëndron ish-deputeti socialist Sadri Abazi dhe nipi i tij Arbër Abazi. Që të dy ata kanë heshtur përballë denoncimeve që i kanë lidhur me këtë kompani, megjithëse në dokumentacionin e dorëzuar në QKR, Sadri Abazi nuk figuron, ndërsa nipi i tij figuron si i punësuar.
Kompania fitoi tenderin me vlerë 15 mln dollarë bashkë me TVSh. Për të humbur gjurmët se kush qëndronte realisht pas kësaj PPP-je, ALKO-IMPEX themelon më 30 maj 2018 kompaninë ECO Cleaning, si zbatuese e kontratës së majme që i dhuroi Xhelal Mziu.
Fill pas kësaj kontrate, akuzat ndaj Xhelal Mziut pushuan. Ai qëndroi i qetë si kryebashkiak i Kamzës edhe për një vit tjetër, deri në 2019-n kur PD i bojkotoi zgjedhjet. Në këtë periudhë, Sadri Abazi ishte deputet me peshë brenda grupit të socialistëve. Për këtë arsye, ngrihet pyetja a ishte Sadri Abazi njeriu që ‘sheshoi’ përplasjen e Xhelal Mziut me socialistët në këmbim të 15 mln dollarëve që përfitoi nga ky koncesion?
PPP-ja nuk ka vetëm problematikat e moralit politik në mes. Edhe ligjërisht ajo është siguruar përmes kritereve të kopsitura nga ana e Xhelal Mziut, për t’i veshur kostumin 15 mln dollarësh Sadri Abazit.
Kjo kontratë gjenden me probleme të mëdha sa u takon kritereve të vendosura nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Bashkinë e Kamzës. Auditi ka zbuluar se kriteret e vendosura dëmtojnë konkurrencën dhe përjashtojnë me pa të drejtë kompanitë e tjera. Në dukje janë detaje, por që në të tilla procedura përcaktojnë fituesin.
Si shembull, një nga kriteret kualifikuese në tender ishte përcaktimi që Drejtuesi Teknik i operatorit ekonomik duhet të figurojë në listë-pagesat e kompanisë të paktën 6 muajt e fundit. Vendosja e kriterit mbi eksperiencën në shoqëri është pa arsye në objektin e prokurimit me qëllim s’kualifikimin apo shmangien nga tenderimi e sa më shumë operatorëve ekonomikë.
Po ashtu, në lidhje me eksperiencën në shërbimin e pastrimit, Bashkia Kamzës ka përcaktuar se Drejtuesi Teknik i kompanive pjesëmarrëse në tender duhet të kishte eksperiencë jo më pak se 5 vite në fushën e ofrimit të shërbimit të pastrimit.
Por, personi, i cili fiton statusin e Drejtuesit Teknik në një shoqëri ka tagrin e plotë të realizojë çdo kontratë në fushën për të cilën është diplomuar dhe për të cilin ka funksionin e Drejtuesit Teknik. Pra, nuk mund të përjashtohet nga procedurat e prokurimit një operator ekonomik i cili ka drejtues teknik për të realizuar këtë kontratë që prokurohet, por nuk plotëson kriteret që drejtuesi nuk ka punuar 5 vite eksperience pune.
Për të shmangur çdo surprizë në garën dukshëm të paracaktuar, Xhelal Mziu përfshin mes kritereve edhe kërkesën që kompania të ketë disa inxhinierë të punësuar në 6 muajt e fundit dhe ta vërtetojë këtë përmes listëpagesave.
Kjo nuk është hera e parë që Xhelal Mziu akuzohet për shkelje të barazisë në tendera. Në fund të 2013-s ai u mor i pandehur, madje iu caktua edhe masa e sigurisë burg pa afat me akuzat e shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.
Gjykata e Tiranës la dje në fuqi masën “burg pa afat” ndaj Xhelal Mziut, kryebashkiakut të Kamzës, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas Prokurorisë në atë kohë, këto akuza kishin lidhje me taksime arbitrare të dy shoqërive nga ana e Bashkisë së Kamzës, si edhe me dëmtimin e fushës së futbollit të këtij qyteti. Në prokurori ai përfundoi pas kallëzimit të një kompanie në lidhje me përjashtimin nga një tender. Mziu pretendoi pafajësinë.
Ndërkohë, në fund të janarit 2021, Xhelal Mziu u kallëzua në SPAK nga Rakip Suli, i zgjedhur kryetar bashkie në Kamëz në 2019-n. Suli deklaronte se pas një auditimi të brendshëm është gjetur një procedurë e nisur dhe për dhënien e një leje për linje autobusësh në njësinë Paskuqan, ku fituesi ka dalë në 20.1.2017 dhe brenda 60 ditësh duhet të lidhej kontrata me fituesin me linjën e autobusëve dhe nuk është lidhur, por është lidhur me dy vite vonesë.
“Në dy vite në këtë zonë që doli filtuesi kush e bëri këtë biznes? A funksioni kjo linjë? Kam bindjen që këtu është abuzim i drejtpërdrejtë i ish-kryetari të bashkisë për qëllime ekonomike, se cila është arsyeja tjetër?!”, deklaronte Suli.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.