Shënim: Një mori gjyqtarësh e prokurorësh që vettingu i largoi për mosjustifkim pasurie, paaftësi, apo kontakte me botën e krimit po rikthehen sërish në sistemin e drejtësisë, këtë herë në palën tjetër.
Janë mbi 70 gjyqtarë e prokurorë të dorëhequr, por edhe të shkarkuar për mosjustifikim pasurie apo lidhje të dyshimta që do të jenë sërish në sallat e gjyqit, por këtë herë në rolin e avokatit.
Ish-gjyqtari i Apelit në Tiranë, Gjin Gjoni, dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë në korrik të vitit 2020, ditën kur Komisioni i Vetting-ut vendosi që të përfundonte hetimet për pasurinë e tij, duke i kaluar barrën e provës. Më 30 shtator 2020, KPK vendosi ndërprerjen e procesit të vetting-ut për Gjin Gjonin dhe përjashtimin e tij për 15 vjet nga e drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë.
Më 19 tetor 2020, Gjin Gjoni ka themeluar shoqërinë G&G LAW FIRM, me objekt fushën e avokatisë.
Petrit Fusha, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, u dorëhoq në mënyrë të papritur nga detyra, në mars 2019. Vetëm dy muaj më pas, në maj 2019, ai regjistroi pranë QKB-së firmën e tij të avokatisë, FUSHA & PARTNERS LAW FIRM.
Antoneta Sevdari, pavarësisht se kaloi shkallën e parë të vetting-ut dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shkarkua nga detyra në shkurt 2019. Vendimi u mor pas përballjes së saj me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkoi rihapjen e hetimit për të. Shkak ishte pikëpyetja mbi pasurinë e të shoqit. Një vit më vonë, në shkurt të vitit 2020, Sevdari regjistroi pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit studion e saj të avokatisë.
Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë, u shkarkua në korrik 2018 për kriterin e mos-justifikimit të pasurisë. Emri i tij figuron edhe në “listën e zezë” të ShBA-ve, të cilat ia kanë refuzuar vizën si të padëshiruar në vendin e lirisë.
Aktualisht, nëse i referohemi Regjistrit Kombëtar të Biznesit, ish-gjykatësi Artan Broci ka hapur studion e tij të avokatisë në mesin e vitit 2019.
Arben Zefi, kryegjyqtar i Shkodrës, u shkarkua në janar 2019, pasi u konstatua se kishte probleme me dy kritere: deklarimin e pasurisë dhe dyshime për korrupsion, si dhe kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar. Edhe Arben Zefi ka kaluar në anën e avokatëve, pasi në mesin e vitit 2020 aktivizoi licencën e tij në QKB, që ka si objekt mbrojtjen dhe këshillimin e personave në konflikt me ligjin.
Bashkim Dedja, kreu i Gjykatës Kushtetuese, u rrëzua për shkak të kriterit të pasurisë në fund të dhjetorit 2018. Ai kishte probleme në justifikimin e pasurisë për tri asete, por megjithatë i hyri avokatisë vetëm pak ditë më pas, duke u regjistruar në QKB më 11 janar 2019 si avokat.
Artur Selmani, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, u shkarkua, sepse u gjet me probleme me tri kritere. Selmani u konsiderua i papërshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ndaj tij ka pasur ankesa nga familjarët e viktimave në Çole të Vlorës, ngjarje e ndodhur në vitin 1997, ku ai akuzohet se ka lehtësuar akuzën për të pandehurit. Që nga fundi i nëntorit 2019 edhe Selmani i është bashkuar togës së avokatëve.
Prokurori Adriatik Cama u shkarkua në korrik 2018, pasi u gjet me probleme në tri kritere. Nga hetimi i KPK ka rezultuar se Cama nuk e justifikon pasurinë, është i korruptuar dhe vihet në presion nga struktura kriminale, pra është i papërshtatshëm për të vazhduar detyrën. Pavarësisht kësaj mase nga vetting-u, ashtu si kolegët e tij, edhe Adriatik Cama po përdor licencën e avokatit që nga marsi i vitit 2019.
Ahmet Jangulli, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkodrës, është shkarkuar si i paaftë profesionalisht, por edhe për fshehje pasurie dhe marrje ryshfeti. Pavarësisht se vetting-u e nxori përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë në nëntor 2018, ai do të jetë pjesë e kastës së avokatëve, pasi aktivizoi licencën e avokatit në korrik 2019.
Një analizë e vitit të kaluar në lidhje me dorëheqjet nga sistemi i drejtësisë nxirrte si arsye kryesore frikën e ngeljes në procesin e vettingut për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe lidhjet e dyshimta, që cenonin kriterin e integritetit.
Pra, nëse të shkarkuarit për paaftësi përgjegjësia mund të mbetet vetëm morale, për grupin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkuar për mosjustifikim pasurie dhe lidhje të dyshimta përgjegjësia s’mund të jetë vetëm e tillë.
Këtu duhet të hyjë në lojë me patjetër SPAK dhe të hetojë pasurinë e vendosur prej këtij grupi ish-gjyqtarësh e ish-prokurorësh, që pasi katandisën drejtësinë në një moçal korrupsioni, nepotizmi e përfitimesh seksuale kanë guximin që sot të kthehen në mbrojtës të saj.
Koha që SPAK të hetojë nuk është pa limit. Shumica e akuzave penale ndaj tyre parashkruhen, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale. Prandaj duhet të jetë urgjencë e Prokurorisë së Posaçme që t’i vendosë para përgjegjësisë këta persona.
Ngarkesa dhe volumi i madh i punës, siç ankohet shpesh kreu i SPAK, Arben Kraja, në këtë rast s’mund të shërbejë si justifikim, sepse s’mund të ketë prioritet më të madh për SPAK, nëse vërtet kërkon që të fitojë besimin e qytetarëve, sesa hetimit i të larguarve nga vettingu.
Nëse ky nuk është prioritet, atëherë kot sa flasim për reformën në drejtësi. Ajo është bërë pis që në momentin që para gjyqtarëve dhe prokurorëve do të dalin si palë mbrojtëse në procese gjyqësore njerëz, që pasi e shtrydhën si limon organin e akuzës e flakën tutje (ca vetë dhe ca të shkarkuar).
Janë pikërisht këta njerëz, që janë akuzuar si kanceri i sistemit të vjetër të drejtësisë. Me rikthimin e tyre, ky kancer po rikthehet. Kura në këtë rast është vetëm hetimi dhe vendosja para përgjegjësisë për këta persona me pyetjen e thjesht: Ku i kanë gjetur paratë dhe pronat, ku sot shumica e tyre jetojnë e i gëzojnë në luks?
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.