Kompania “4-AM” e Ardit Metaliaj sfidon urdhërin e Ramës, me ndihmën e Ballukut i hedhin inertet në lumenj

15 May 2022, 14:38Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kompania “4-AM” e Ardit Metaliaj sfidon urdhërin e Ramës,
Makinat e kompanise 4 AM duke transportuar inerte

Në gusht të 2020, Autoriteti i Prokurimeve Publike penalizoi me dy vite përjashtim nga pjesëmarrja në tendera publikë të kompanisë “4-AM shpk” pasi nga një hetim i këtij autoriteti rezultoi se kjo kompani kishte fituar tendera me mashtrim dhe falsifikim dokumentacioni.

Në dosjen e vendimit të APP rezulton se dënimi i firmës “4-AM shpk”, u bë sepse ka bërë mashtrime dhe falsifikime në 37 tendera ku ka marrë pjesë në Bashkinë Tiranë, Durrës, Lezhë, Elbasan, Tropojë, Vlorë, Kukës, Krujë etj., dhe në pesë ministri. Vlera totale e këtyre tenderave ishte rreth 17 mln lek.

Por, ndalimi nga pjesëmarrja në tendera me sa duket nuk ndaloi kompaninë “4-AM shpk” nga shkelja e ligjeve dhe rregullave, nën dyshimet se për kryerjen e këtyre shkeljeve ka edhe bekimin dhe ndihmën e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Kompania në fjalë është e përfshirë në ndërtimin e pallateve në krah të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, në rrugën “Artan Lenja”. Nga një vëzhgim i Voxneës.al depozitimi i tonelatave të dherave dhe inerteve të tjera që prodhohen nga procesi i ndërtimit pranë Inxhinierisë së Ndërtimit hidhet pak kilometra më tutje.

Voxnews.al fakton me foto e video të gjithë itinerarin e kamionëve të kompanisë, tre prej të cilëve me targa AA734CO, AA214TT dhe AA8647LH teksa në dhunojnë në mënyrë flagrante ligjet dhe rregullat e tjera të mbrojtjes së mjedisit.

Kompania i derdh dherat dhe inertet në Urën e Paskuqanit, duke kursyer koston e largimit të tyre në kurriz të mjedisit, pasi vendi ku po hidhen këto dhera është jashtë çdo parametri të përcaktuar ligjor e rregullator dhe për më tepër rrezikon që të shkaktojë përmbytje nga Lumi i Tiranës gjatë periudhave me reshje të dendura shiu.

Nëse gjatë ndëshkimit të APP, 4-AM u kap për falsifikime dokumentacionesh e mashtrimesh, këtë herë bëhet fjalë për një krim të mirëfilltë mjedisor, nga ata për të cilët mazhoranca socialiste ashpërsoi ndëshkimet gjatë ndryshimeve të fundit të Kodit Penal.

Kjo nuk është hera e parë që kjo kompani me administrator dhe pronar shtetasin Ardit Metaliaj akuzohet për shkelje të kësaj natyre. Ajo është denoncuar edhe për pjesëmarrje fiktive në tendera, vetëm sa për të ligjëruar procedurat duke mos paraqitur ankesa.

Në total, sipas të dhënave të Open Data, kompania “4-AM” ka përfituar 26 kontrata publike me një vlerë totale mbi 2 miliard lekë.

 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video