Bilancet negative të energjisë shtyjnë në kohë hapjen e bursës ALPEX

19 May 2022, 22:59Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Bilancet negative të energjisë shtyjnë në kohë hapjen e

Qeveria ka shtyrë afatin e nisjes së funksionimit të bursës shqiptare të energjisë, ALPEX, pa dhënë ndonjë arsyetim zyrtar për këtë shtyrje.

Bursa duhej të hapej në muajin shkurt, por ajo është shtyrë për në fund të vitit. Arsyet nuk jepen zyrtarisht, ndërsa ekspertët thonë se shkak i shtyrjes është tregu i papërgatitur për këtë ndryshim.

Për ekspertin Eduard Gjokutaj problemi kryesor i vonesave lidhet me optimizmin me të cilin janë bazuar autorët e programit, që sipas tij nuk përkon me realitetin e tregut energjetik në Shqipëri.

“Ky realitet pamundëson realisht bursë funksionale, për aq kohë sa nuk janë realizuar shumica e objektivave të planit te konsolidimit financiar”, deklaron Gjokutaj për Faktoje.al.

Problematikat, sipas ekspertit lidhen me bilancet fiskale të kompanive të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.

“Mungesa e angazhimit të partnerëve të huaj me përvojë në këto momente (Banka Botërore) apo shtete që janë investuar në gjenerim si dhe papastërtitë fiskale të bilanceve financiare të kompanive publike të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes e furnizimit janë një problem po aq madhor, i cili anashkalohet nga ministritë që janë të lidhura me sektorin sipas fushave respektive të mbulimit”, vijon ai.

Në programin qeverisës 2021-2025 qeveria angazhohej që Bursa Shqiptare e Energjisë të ishte krejtësisht operacionale në shkurt të 2022. Sipas Faktoje, disa muaj më vonë, ky afat është fshirë nga programi qeverisës 2021-2025.

Në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë tejkalimi i afateve lidhet me procedurat e zgjatura të përzgjedhjes së Ofertuesit të Shërbimit për bursën. Raporti i Entit Rregullator thekson se tregtimi i energjisë elektrike për tregun e ditës në avancë do të nisë në nëntor.

Edhe raporti periodik i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, në publikimin e muajit nëntor vë në dukje vonesën në krijimin e bursës në Shqipëri për shkak të procedurave tenderuese të përzgjedhjes së Ofertuesit të Shërbimit për bursën.

 


Video