Me përfundimin e mandatit të Altin Binajt dhe Përparim Kalos janë pesë vende në Gjykatën Kushtetuese që duhet të plotësohen, ku nga një i takon Kuvendit dhe Presidencës dhe tre të tjerë i takojnë Gjykatës së Lartë.
Lista e kandidatëve në garën e hapur nga Presidenca për vakancën e krijuar nga mbarimi i mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Përparim Kalo sugjeron emrat që do të qarkullojnë më shpesh edhe për vendet që duhet të plotësojë Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.
Presidenca përmbylli në fillim të shkurtit afatin e dorëzimit të dokumentacionit nga ana e kandidatëve. Nnumri i tyre është dhjetë të tillë, që nga ish-kryeprokurorja Arta Marku, te Sandër Beçi, Besnik Dervishi dhe ish-kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.
Presidenca i dorëzoi Këshillit të Emërimeve në Drejtësi listën me emrat e Ardita Buna, Arta Marku, Arta Vorpsi, Besnik Dervishi, Elida Take, Gent Ibrahimi, Juliana Latifaj, Maksim Qoku, Manjola Xhaxho dhe Sandër Beci.
Pas këtij procesi, KED duhet të vlerësojë me pikë dhe t’i çojë Presidencës një listë me renditje nga kandidati më i kualifikuar te ai më pak i kualifikuar. Lista nuk duhet të përmbajë më pak se 3 emra, ndërsa Presidenti nuk mund të zgjedhë emër tjetër përveç tre kandidatëve të parë.
Por në këtë rast rrezikojmë që të kemi edhe persona politik si anëtar të Gjykatës.
Një prej tyre është Besnik Dervishi, aktualisht Komisioner për të Drejtën e Informimit.
Kushtetuta në nenin 125, paragrafi 5 thotë tekstualisht:
Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.
Në CV-në e dorëzuar pranë Gjykatës së Lartë dhe në Presidencë, Besnik Dervishi, aktualisht Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe për Mbrojtjen e të Dhënave dhe deputet nga 2005 deri në 2009 deklaron se nga tetori 2013 deri në prill të 2014-s ka mbajtur postin e Prefektit të Vlorës.
Ky post është thellësisht politik dhe emërim i drejtpërdrejt i Kryeministrit, që bie ndesh me parashikimet kushtetuese.
Sipas Kushtetutës, afati 10-vjeçar që Besnik Dervishi të kualifikohet për t’u zgjedhur anëtar në Kushtetuese përfundon në prill të 2024-s.
Kandidatura e tij përpos aftësive të tij do të minonte procesin e zgjedhjeve të anëtarëve të Gjykatës, pasi jo vetëm do të shkonte një njeri partiak, por dhe do të ishte shkelje e hapur e Kushtetutës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.