Kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi para Komisionit të Ligjeve se prokuroria e posaçme po hetonte abuzimet e dyshuara me fondet e rindërtimit. Ai nuk dha më shumë hollësi se çfarë po hetohej konkretisht dhe cilët janë zyrtarët e përfshirë.
Por, Kraja tha se “mediat kanë paraqitur fakte që lidhen me abuzime të këtyre fondeve” dhe se veç SPAK disa hetimet kanë nisur nga prokuroritë e zakonshme, të cilat duhet të vlerësojnë nëse në këto hetime janë të përfshirë zyrtarë shtetërorë t’ja përcjellin ato SPAK, që i ka nën kompetencë.
“Janë çështje që janë në hetim dhe do marrin zgjidhjen e duhur ligjore”, u shpreh Arben Kraja, duke mos dhënë më shumë detaje me arsyetimin se dosjet në fjalë ishin nën hetim.
Por, çfarë po hetohet nga abuzimi me rindërtimin. SPAK vetë ka dy dosje, ku janë të përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë. Dosja e parë, për të cilën u detyruar nga Gjykata e Posaçme që të hetojë lidhet me ish-kreun e Bashkisë së Vorës, Gentian Picari.
Sipas hetimeve ka rezultuar se Picari në bashkëpunim me 3 ekspertë të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit, dyshohet se kanë ndryshuar ekspertizën për 43 banesa duke rritur fiktivisht dëmet dhe shpërdoruar fondet e rindërtimit.
Në dosjen tjetër, tre persona janë arrestuar me urdhër të SPAK, si të përfshirë në një skemë për të rikualifikuar një shtëpi të prishur pas shpronësimit për qëllime publike, si të dëmtuar nga tërmeti, për të përfituar financiarisht.
Në pranga kanë përfunduar personat nën hetim, A.M. dhe F.H. të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe i dytë i Kodit Penal; si dhe për personin nën hetim Dh. P., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Hetimet për këtë rast, të verifikuar në njësinë administrative Petrelë, të Bashkisë Tiranë, kanë nisur që në vitin 2020. Me urdhër të SPAK është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik”, ndaj Sokol Kupit, me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Petrelë.
Të dyja rastet sugjerojnë se te abuzimet me fondet e rindërtimit, të cilat pas tërmetit të 2019-s, Edi Rama ja besoi Arben Ahmetajt për t’i menaxhuar niveli i përfshirjes është i gjerë, që nga zyrtarët më të ulët vendorë, deri te ekspertët e Institutit të Ndërtimit.
Dyshimet për abuzime me fondet e rindërtimit janë ngritur edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në dhjetor të 2021 i kërkoi Ministrisë së Rindërtimit që të zbatojë menjëherë masa për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie në lidhje me mënyrën se si po shpenzoheshin këto fonde.
FMN e bëri kërkesën përmes një deklarate pas shqetësimeve të ngritura në lidhje me transparencën e dy fondeve, atij për rindërtimin dhe atij për pandeminë, që u menaxhua nga qeveria shqiptare përmes një skeme të veçantë, duke ja lënë në dorë ministrit Arben Ahmetaj.
“Drejtorët nxitën autoritetet të zbatojnë menjëherë masa për transparencë dhe llogaridhënie për shpenzimet emergjente dhe fondet me subjekt rindërtimin me kontrolle të përshtatshme për menaxhimin financiar publik”, thuhej në deklaratën e FMN.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.