
Sali Berisha u ftua në Presidencë nga Ilir Meta pas shumë kohësh dhe sebepi ishte dekorimi me titullin ‘Nderi i Kombit” dhënë për botuesin Ndriçim Kulla.
Berisha ishte mes atyre që në deklaratë, Ilir Meta i quan “figura të nderuara të artit, kulturës dhe politikës”. Mes zhvillimeve të fundit, prania e Berishës në krah të Metës merr një tjetër kuptim.
Foltorja e ish-kryeministrit ka marrë nën kontroll godinën e Partisë Demokratike dhe ndër hapat e parë ka qenë afrimi me LSI-në, që Basha e distancoi në dy zgjedhjet e fundit.
Simbioza e re që po lind nuk përjashton mundësinë e shkrirjes së Foltores me partinë e themeluar nga Ilir Meta dhe ky i fundit të jetë në krye të lëvizjes së re, kur Berisha të mos ketë më fuqinë dhe energjinë për ta bërë diçka të tillë.
Kjo ndoshta ka qenë edhe ajo çka ka dashur të thotë Monika Kryemadhi këto ditë, kur në një intervistë televizive u pyet për rikthimin e Ilir Metës te LSI pas përfundimit të mandatit si President.

“LSI është shumë e vogël për Metën, është një kostum që i rri pak ngushtë. Meta mund të jetë ideatori i një lëvizje të re, e cila rikthen jo vetëm identitetin kombëtar dhe integritetin tonë, por mendoj se do të jetë një iniciativë”, tha ajo.
Në emër të identitetit, sovranitetit dhe integritetit kombëtar e nisi edhe Sali Berisha foltoren e tij, që po e vazhdon me marrjen e plotë nën kontroll të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha. Por, ndoshta kjo nuk është faza e fundit e planit të Berishës. Faza e fundit mund të jetë dorëzimi i kësaj partie të Ilir Meta...fundja besnikërinë e këtij të fundit e ka siguruar që në 2011-ën.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.