Meta po përgatitet që të jetë kryetari i ‘Foltores’ e të shkrijë bashkë PD me LSI-në

30 March 2022, 21:51Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Meta po përgatitet që të jetë kryetari i
Ilir Meta dhe Sali Berisha

Ilir Meta është duke përgatitur rikthimin aktiv në politikë pas 24 korrikut, kur mbyll mandatin 5-vjeçar si President dhe sipas fjalëve të bashkëshortes së tij, rimarrja e LSI-së nuk është objektivi i tij madhor.

Objektivi e ambicia e Metës, sipas kryetares aktuale të LSI-së, shkon përtej kësaj partie, pasi siç thotë ajo, LSI “është shumë e vogël për Metën”.

“Nuk e di nëse do të kthehet në LSI apo jo, sepse LSI është shumë e vogël për Metën, është një kostum që i rri ngushtë, por mund të jetë ideatori i një lëvizje të re që rikthen identitetin kombëtar dhe integritetin tonë, por mendoj se do të jetë një iniciativë”, deklaroi Kryemadhi në një intervistë për A2CNN.

Çfarë nënkupton Kryemadhi me këtë? Lëvizje me pretendimin që të rikthejë identitetin, sovranitetin dhe integritetin kombëtar aktualisht vetëm një është; “Foltorja” e Sali Berishës.

Meta ndoshta do t’i bashkohet kësaj foltoreje të Berishës, ose Berisha i ka dhënë fjalën që do t’ja ‘trashëgojë’, ashtu siç ja trashëgoi PD-në në 2013-ën Lulzim Bashës, duke pasur parasysh faktin se më 24 mars, edhe pse mes angazhimeve të forta politike, sa në Kuvend, sa në selinë e PD, Berisha gjeti kohë që t’i përcillte Kryemadhit urimet për ditëlindjen e Ilir Metës.

Sipas Kryemadhit, Meta ka aftësinë që të bashkojë shumë grupe, e këtu mbase edhe aftësinë për të bashkuar grupin e Bashës me të Berishës në PD...sigurisht nën drejtimin e tij.

“Meta është instrument që bashkon shumë grupe. Në manifestimin e 2 marsit të gjithë janë shokuar se në 10 ditë pati mbi 50 mijë qytetarë të Tiranë”, shtoi ajo.

Po në këtë intervistë, Kryemadhi bëri ‘autokritikë’, kur tha se tre herë e nxorri bashkëshortin e saj para togave të pushkatimit me vendimet e marra së bashku me Lulzim Bashën.

“Për hir së vërtetës, na pëlqen apo s’na pëlqen, është politikani i vetëm që Kryemadhi me Bashën me vendimet që morën, e përballën tre herë me togat e pushkatimit: dy herë në Venecia ku ai e fitoi betejën dhe 1 herë në Gjykatën Kushtetuese ku ai e fitoi prapë betejën për gabimet e Monika Kryemadhit dhe keqdashjet e Bashës”, u shpreh ajo.

 


Video