
Që Sali Berisha është shumicë brenda Partisë Demokratike në këtë moment këtë vetëm ata që nuk duan të shohin e mohojnë. Por, pyetja që ngrihet është nesë Berisha është në gjendje që të sjellë Partinë Demokratike në pushtet dhe të fitojë votën popullore për t’u shndërruar në shumicë qeverisëse?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet që më parë të kihen parasysh disa pengesa vendase e ndërkombëtare që minojnë ambicien e ish-Kryeministrit për t’u rikthyer si Kryeministër. Së pari, Berisha është stërtestuar në pushtet për 13 vite me radhë dhe në të gjitha rastet i kanë shpërthyer skandale e bomba, jo vetëm figurative, por edhe reale.
Që shumica e shqiptarëve nuk e ka dashur Berishën, rezultati është mësuar që në referendumin për Kushtetutën e 1994-s. Dy vite më vonë, duke e ditur mbështetjen që gëzonte mes qytetarëve Berisha orkestroi masakrën në zgjedhjet e përgjithshme të majit 1996.
Kjo masakër, por edhe firmat piramidale që lulëzuan në vend me bekimin e tij çuan në trazirat e 1997-s, vit në të cilin Berisha do të largohej nga pushteti me pahir. Në 1998-n shfrytëzoi vrasjen e Azem Hajdarit për të organizuar një grusht shteti, ku u tërhoq vetëm pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Megjithatë, njeriu që nisi trazirat që për pak e zhdukën Shqipërinë nga harta e botës në formën që është aktualisht, u rikthye në 2005-n në pushtet.
I mjaftuan vetëm tre vite nga hera e dytë në krye të vendit që t’i shpërthente në duar Gërdeci, duke lënë pas 26 të vdekur e qindra të plagosur. Në 2011 ishte sërish në krye të vendit kur garda vrau 4 protestues të pafajshëm më 21 janar.
Megjithatë, për asnjërën prej të gjitha këtyre gjëmave dhe bëmave që i ka shkaktuar vendi, Sali Berisha nuk ka dhënë llogari.Tani, thuajse 10 vite nga largimi me votë dhe dorëheqja, Sali Berisha lakmon sërish pushtetin.
Kjo është e treta e vërteta për të. Në dy të parat, ja doli mbanë që të ‘joshte’ ndërkombëtarët, por këtë herë ata e kanë shpallur non grata. SHBA e ka damkosur që prej majit të vitit të kaluar, një damkë e vulë që mbulon çdo vulë opozitarizmi që Berisha mund të marrë me forcë, apo vendim gjykate.
Prej kësaj damke amerikane është e pamundur që ai të rikthehet në pushtet përmes votës së shqiptarëve. Prandaj, marrja e PD-së prej tij i shërben vetëm atij dhe dyshimeve e hamendësimeve se partinë më të madhe të opozitës ai synon që ta përdorë si mburojë antiamerikane.
Berisha ka kërkuar vazhdimisht dosjen mbi bazën e të cilës është shpallur non grata nga SHBA. Një vendim i tillë e ka një dosje, por në rastin e tij, SHBA po tregohet e duruar dhe duket se i ka vendosur vetes një vijë të kuqe, e cila nëse tejkalohet nga Berisha do të pasojë publikimin e dosjes.
E publikimi dosjes shoqërohet me prova, provat me hetime zyrtare dhe hetimet...ndoshta edhe me ekstradim drejt SHBA, mqs mes dy vendeve është nënshkruar një marrëveshje.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.