
I vënë në qendër të kritikave për apati, tolerim deri në kufijtë e aferave korruptive dhe ndëshkime qesharake ndaj oligopoleve në treg, Autoriteti i Konkurrencës nxitoi këtë të premte që të shpërndajë për mediat dhe publikun gjobat e vëna për tre kompani që importojnë dhe tregtojnë në vend plehrat kimike.
Autoritetit të Konkurrencës, për të dalë në përfundimin se kompanitë në fjalë shkelnin rregullat e konkurrencës në tregun e shumicës duke fiksuar çmimet iu desh një vit kohë, pasi siç njofton vetë, hetimet i ka nisur që vitin e kaluar.
Megjithatë, më mirë vonë se kurrë, por a janë gjobat e vendosura mjaftueshëm ndëshkuese për kompanitë që kanë abuzuar në treg?
Ligji i jep të drejtën Autoritetit të Konkurrencës që të gjobisë nga 2 deri në 10 për qind të xhiros vjetore kompanitë që gjen në shkelje të rregullave të konkurrencës. Në rastin në fjalë, shifra prej rreth 190 mln lekësh, ose afërsisht 2 mld lek të vjetra tingëllon e majme, por në raport me xhiron vjetore të kompanive, shuma në fjalë është një ‘çikërrimë’.
Kompania që ka marrë gjobën më të lartë është AgroBlend, e ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili. Kjo kompani është ndëshkuar me rreth 100 mln lek. Sipas bilanceve që kompania ka dorëzuar në QKR, për 2020 ajo ka deklaruar një xhiro prej 4.5 mld lekësh, nga të cilat fitime janë rreth 385 mln lek.
Gjoba në këtë rast është rreth 25 për qind e fitimit. Por, ligji nuk përcakton vendosjen e saj në bazë të fitimit, por në bazë të xhiros vjetore dhe në rastin e gjobës ndaj AgroBlend, Konkurrenca ka zgjedhur ndëshkimin minimal duke e gjobitur me pak më shumë se 2 për qind të xhiros vjetore.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy kompanitë e tjera, MBM dhe Çaça.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.