
Gazment Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike me sigël e vulë, deklaroi në një intervistë televizive këtë të enjte se gjyqtari që guxon të regjistrojë ndryshimet e statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit përfundon direkt në burg.
Ai hodhi akuza se gjytari Agron Zhukri, që do të vendosë paraditen e së premtes për kërkesën e depozituar nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, është takuar me anëtarë të këtij Komisioni.
Sipas Sekretarit me sigël e vulë të PD-së, 11 dhjetorit është ende nul dhe miting i Sali Berishës, e jo Kuvend i Partisë Demokratike, pavarësisht se në testin e 6 marsit dolën të tretët në zgjedhje. Por, halli i Gaz Bardhit duket se nuk është as PD, as demokratët.
Gazment Bardhi, një jurist në profesion, që ka javë e muaj që është zhdukur nga skena politike, nuk mund të lëshojë asnjëherë me mendje të ftohtë një deklaratë të tillë ndaj një gjyqtari. Po pse e bëri këtë herë?
Arsyeja mund të lidhet me hallet ngushtësisht personale të tij me drejtësinë dhe halli i tij është vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan katër ditë para 25 prillit të vitit të kaluar. Sekretari i PD-së ka manovruar në lidhje me këtë ngjarje duke mbrojtur aktin, pavarësisht se autori, një ish-efektiv i RENEA-s ndodhet në burg dhe po gjykohet për akuzën e vrasjes.
Autori ishte pjesë e strukturës së mbrojtes së votës, që PD tha se kishte ngritur në gjithë Shqipërinë për të ndaluar Ramën nga blerja e tyre. Por, pas tragjedisë në Elbasan, nga pjesë e strukturës së mbrojtjes së votës, autori i vrasjes së Pjerin Xhuvanit u shndërrua në ‘person që kryente shërbime pranë Gazment Bardhit’.
“Po unë kam punonjës privatë që kryejnë shërbime pranë meje”, përgjigjej Gaz Bardhi gjatë një deklarate në Opinion në TV Klan.
Kjo nuk është e vetmja. Sekretari i PD-së u rikthye para zgjedhjeve të 6 marsit, kur akuzoi kandidatin e Berishës në Lushnje, Elton Bano se ishte dënuar me burg në Angli për vjedhje. Por, burime të Voxneës.al konfirmojnë se Bano, djali i ish-deputetit të PD-së, Ilir Bano në Angli është mbajtur për pak orë vetëm për verifikim dhe ndaj tij nuk u ngrit asnjëherë asnjë akuzë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.