"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin Sovjetik", flet biografi i presidentit rus

29 March 2022, 11:46Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Vladimir Putin

Vladimir Putin është një nga politikanët më mediatikë të dekadave të fundit dhe, në të njëjtën kohë, një nga më enigmatikët. Çfarë fshihet pas njeriut që ka nisur një krizë globale? Çfarë e motivon atë? Kë respekton dikush që ka kaq shumë pushtet?

Gazetari Steven Lee Myers kaloi shtatë vjet si korrespondent në Moskë për New York Times. Gjatë asaj kohe ai arrit të takonte dhe intervistonte Vladimir Putinin, si dhe të analizonte evolucionin e tij në pushtet.

Në një intervistë për BBC, Myers e përshkruan Putinin si një bashkëbisedues të shkëlqyeshëm, dikë për të cilin rendi dhe stabiliteti janë shumë të rëndësishme, me një përkushtim "kuazi-fetar" ndaj vendit të tij dhe që mbart pakënaqësi ndaj Perëndimit.

Në bisedë, Myers tregon se çfarë e motivon Putinin, çfarë dihet për rrethin e tij më të ngushtë dhe cilët janë skenarët për luftën në Ukrainë. Myers është autori i biografisë "Cari i ri: Ngritja dhe Mbretërimi i Vladimir Putin" dhe aktualisht është kryeredaktor i The New York Times  në Pekin.

"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Gazetari Steven Lee Myers

Ju i jeni referuar Putinit si "dikush që fiton gjithmonë", çfarë do të thoni me këtë?

Dua të them, gjatë 22 viteve që ai ka qenë në pushtet, ka pasur disa raste kur njerëzit mendonin se ky njeri nuk mund t'i mbijetonte sfidave me të cilat është përballur.

Në fillim ishte lufta në Çeçeni. Më pas, kur u kthye në presidencë ai u prit me protesta. Pati protesta masive, dolën një milion njerëz në rrugët e Moskës. Njerëzit atëherë thoshin "si mund t'i mbijetosh kësaj?"

Më pas, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, ekonomia ruse vuajti shumë. Vlera e rublës ra në mënyrë drastike dhe nuk u rikuperua kurrë. Megjithatë, Putin arriti të qëndrojë në pushtet dhe në një farë mënyre arriti të mbetet një figurë e fortë.

"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Çeçeni, 1994

Kjo është ajo që dua të them, deri më tani, Putin ka arritur të zhgënjejë ata që kanë shpresën se ai do të detyrohet të largohet nga pushteti.

Si është një takim kokë më kokë me Putinin?

Mendoj se varet shumë nga personi dhe ndonjëherë edhe nga rrethanat. Kur e kam takuar, unë mbuloja Rusinë, kështu që isha familjarizuar mjaftueshëm me të.

Ai është një bashkëbisedues shumë i mirë, disa njerëz ia atribuojnë këtë karrierës së tij në KGB. Ai vjen në takime jashtëzakonisht i përgatitur. Mund të kujtojë statistika dhe të flasë për tema të ndryshme me detaje të pabesueshme, spontanisht, pa shënime.

Është një person i mprehtë, mund të jetë edhe pak nervoz, dhe në fakt i kemi parë shpërthimet e tij  inatit. Shikoni fjalimin e tij të disa ditëve më parë ku përdori fjalë të tilla si “katrahurë” dhe “tradhtarë”. Kjo lloj gjuhe ka nxitur gjithmonë komentet ndaj tij, por duket se tani janë më të theksuara.

Por shiko, disa njerëz e njohin dhe janë të kënaqur me atë stil. Me mënyrën se si ai merr pjesë në bisedë, të bën të ndihesh i dëgjuar. Njerëzit që e kanë njohur shumë më tepër se unë, për shembull Angela Merkel, gjatë krizës së Krimesë i tha Obamës se Putini jetonte në një botë tjetër.

Një këshilltar i Macron pak ditë më parë tha diçka të ngjashme.

"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Angela Merkel dhe Vladimir Putin, takim në Moskë në 2020

Kështu që unë mendoj se, Putini është, le të mos themi delirant, por thjesht e sheh botën nga një këndvështrim ndryshe.

A ka ndonjë ngjarje në fëmijërinë apo rininë e Putinit që ka shënuar vizionin e tij për botën?

Ka disa… Unë e filloj librin tim duke folur për babain e Putinit dhe përvojën e tij në Luftën e Dytë Botërore. Ai ishte një ushtar që luftoi në rrethimin e Leningradit, një konflikt absolutisht i tmerrshëm në të cilin vdiqën miliona njerëz.

Pra, lufta goditi pothuajse çdo familje në Bashkimin Sovjetik, dhe kjo mbetet në kujtesën historike të kulturës së tyre edhe sot e kësaj dite. Unë mendoj se, në një farë mënyre, ne nuk e kuptojmë që, aq shumë sa u shkatërrua Bashkimi Sovjetik, u shkatërrua vetëm Gjermania.

Ai u rrit në një kohë kur Bashkimi Sovjetik filloi t'i ngrinte tribut kësaj përpjekjeje. Bashkimi Sovjetiki, Stalini, sido që të mendoni për ta, mundën Gjermaninë naziste. Duhet të vlerësohen për këtë.

Mendoj se ajo përvojë, ajo mitologji rreth luftës është diçka me të cilën Putini u rrit dhe kjo është thelbësore për karakterin e tij. Ekziston edhe një histori që ai vetë e tregon dhe nuk dihet se sa është e vërtetë.

Ai flet për një libër dhe serial të vitit 1968 të quajtur "Mburoja dhe shpata". Ishte një serial lufte, në të cilin kishte një personazh që ishte si një spiun i infiltruar në ushtrinë naziste dhe që ndihmoi të fitonte luftën.

"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Karta e Stasit të Vladimir Putin, 1985.

Putini e pëlqeu atë serial dhe është shprehur se ishte aq i prekur saqë u përpoq menjëherë të regjistrohej në KGB, edhe pse ishte shumë i ri.

Atëherë kjo ishte pjesë e idesë së tyre për t'i shërbyer kësaj kauze të madhe kundër nazistëve, e cila, siç e pamë, është gjithashtu pjesë e gjuhës së tyre në luftën e sotme kundër Ukrainës.

Çfarë e motivon Putinin?

Shumë njerëz gabimisht mendojnë se Putini po përpiqet të rikrijojë Bashkimin Sovjetik. Nuk mendoj se kjo e motivon atë. Unë mendoj se ai ka një obsesion të veçantë me Ukrainën. As kjo nuk është e re. Daton që nga fillimi i presidencës së tij dhe del në pah sa herë që Ukraina duket se lëviz jashtë orbitës së Rusisë.

Nuk ka të bëjë thjesht me faktin që Ukraina do të anëtarësohet në NATO. Është më e ndërlikuar se kaq. Unë mendoj se ai e sheh Ukrainën fjalë për fjalë si pjesë të shtetit rus. Në vitin 2008, Putin i tha Xhorxh Bushit se Ukraina nuk “ishte shtet” dhe vitin e kaluar ai e përsëriti këtë në fjalimin që mbajti si një prelud i këtij konflikti.

Unë nuk mendoj se ai dëshiron të rikrijojë Bashkimin Sovjetik, mendoj se ai dëshiron të rikrijojë diçka shumë më të vjetër: Perandorinë Ruse.

Disa nga deklaratat që ai ka dhënë ditët e fundit ngjallin një ndjenjë misioni të shenjtë, për të mbrojtur shtetin e shenjtë rus në një mënyrë thuajse fetare. Origjina e Ortodoksisë Ruse mund të gjurmohet në atë që tani është Ukraina dhe mund të thuhet se shteti rus lindi nga Ukraina.

Pra, ai nuk e sheh Ukrainën si një vend më vete, por si diçka integrale të Rusisë.

Ju e portretizoni Putinin si dikush për të cilin stabiliteti dhe rendi janë shumë të rëndësishme, si reflektohet kjo në mënyrën e tij të veprimit?

Nuk kam ndërmend t’i bëjë psiko-analizë, por ai është shumë i përpiktë. Ai kujdeset për dietën e tij, ushtrohet deri në obsesion, ose të paktën kështu ka qenë dikur. Nuk e di si ka ndryshuar në dy vitet e fundit.

Tek ai shihet disiplina.

Dhe gjëja tjetër që më bëri përshtypje, megjithëse nuk është diçka e re, është diçka që është parë që në fillim: Përbuzja apo frika që ndjen ndaj asaj që ai e konsideron si “mandatin e turmave”, me fjalë të tjera demokracinë.

Demokracia mund të jetë kaotike nganjëherë, përfshinë pasione, mosmarrëveshje dhe protesta.

"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Zyra e KGB në Dresden gjatë Luftës së Ftohtë

Por në mendjen e tij këto janë kërcënime ndaj shtetit. Ai e përjetoi këtë kur ishte oficer i KGB-së në Gjermaninë Lindore dhe Muri i Berlinit ra ndërsa ai ishte atje.

Një turmë sulmoi godinën e Stasit (Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Gjermanisë Lindore) në Dresden, ku po shërbente Putin.

Madje u përpoqën të merrnin edhe zyrën e KGB-së ku ai po qëndronte atë natë.

Unë mendoj se kjo e shënjoi Presidentin rus.

Sa herë që e dëgjon të flasë për protesta, ai nuk mendon se ka emocione të vërteta nga njerëzit që kërkojnë drejtësi, ose që përpiqen të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet.

Ai i sheh ata si të padisiplinuar, si turma që përpiqen të përmbysin rendin e vendosur.

Kë respekton Putin?

Kam kaluar pesë vitet e fundit duke parë marrëdhëniet midis Putinit dhe Xi Jinping (Presidenti i Kinës), duke parë se si kjo marrëdhënie rritet dhe thellohet.

Në një nga takimet e tij të fundit, unë u habita se sa i respektueshëm, apo edhe i përulur është Putini ndaj Xi-t, ndërsa në takimet me liderë të tjerë apo edhe me stafin e tij, Putini shihet me një qëndrim arrogant, i ulur me këmbët hapur dhe me vështrim akuzues.

Barack Obama dikur tha se Putini i ngjante studentit tipik të mërzitur që ulet në fund të klasës. Por  unë mendoj se Putini u soll në këtë mënyrë me Obamën sepse nuk e pëlqente.

"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Vladimir Putin dhe Xi Jinping, 4 shkurt 2022 në Pekín

Mund të shohësh ndryshimin me njerëzit që ai respekton, dhe Xi është padyshim një nga ata njerëz.

Kohët e fundit po flisja me një analist rus, i cili gjithashtu ndjek nga afër marrëdhëniet Rusi-Kinë, dhe ai më thoshte se, të paktën deri vonë, Putin e respektonte Bidenin.

Kjo më befasoi, duke pasur parasysh se sa e tensionuar është marrëdhënia.

Por hej, përveç kësaj, Putini njihet që i lë njerëzit në pritje për orë të tëra, qoftë për intervista apo takime të rëndësishme biznesi. Disa thonë se kjo është pjesë e taktikave të tij psikologjike, nuk e di, por është shenjë e arrogancës së tij. Ai arrin në kohë në takimet me Xi.

Ka pasur shumë spekulime se si pandemia dhe izolimi gjatë këtyre dy viteve mund të kenë ndikuar në shëndetin mendor të Putinit. A dini ndonjë gjë për këtë?

Artikulli më i mirë që kam lexuar për këtë është ai i shkruar nga Mikhail Zygar.

Zygar shkruan se që nga fillimi i pandemisë Putin nuk po qëndron në shtëpinë e tij jashtë Moskës, por në një tjetër rezidencë zyrtare, mes Moskës dhe Shën Petersburgut. Prej aty ai ka dhënë videokonferenca për të shmangur rrezikun e koronavirusit.

Por në këtë artikull Zygar përmend një nga personat që ka qenë atje me Putinin. Ai flet për Yuri Kovalchuk, një nga miqtë e tij të ngushtë, i cili njihet si "bankieri i Putinit". Kovalchuk është pjesë e rrethit të brendshëm të Putinit, jo vetëm në nivel qeveritar, por edhe personal. Të dy ndajnë këtë vizion pothuajse fetar për Rusinë dhe konfliktin me Perëndimin. Zygar, si të gjithë ne, spekulon se çfarë lloj këshillash po merr Putini dhe çfarë po ndodh në rrethin e tij të ngushtë, por më duket shumë bindës argumenti i tij se Kovalchuk ka qenë i vetmi që është futur në atë flluskë për dy vitet e fundit, ose të paktën, nga të paktët që janë pjesë e saj.

Çfarë dihet për familjen e tij?

Ai është i divorcuar dhe ne dimë shumë pak për jetën e tij personale përtej kësaj. Është gjysh, ka të paktën dy fëmijë dhe flitet se ka edhe të tjerë. Është e paqartë se sa kohë kalon me ta.

Tani për tani Putini shihet si njeriu i keq. A ka ndonjë mundësi që në Perëndim të ketë një këndvështrim ndryshe për të?

Mendoj se ka një lloj karikature të Putinit, sikur të ishte një personazh vizatimor apo keqbërësi i  James Bond-it. Njerëzit thonë "o, po, ai ishte agjent i KGB-së", dhe në fakt po ka qenë, por kjo është vetëm një pjesë e jetës së tij. Ai nuk ka qenë kurrë një James Bond gjatë shërbimit të tij. Ai nuk ishte agjent i fshehtë, nuk kishte operacione të fshehta. Ai ishte më shumë një oficer i inteligjencës që mblidhte informacione, gjë që bëjnë shumica prej tyre.

Ndonjëherë më duket sikur e ekzagjerojmë kërcënimin e tij. Thënë kjo, Putin ka treguar qartë gatishmërinë për të nisur një pushtim masiv të një vendi sovran. Kjo nuk ndodh shumë shpesh pa një lloj justifikimi ndërkombëtar, përtej asaj që dikush mendon për luftën në Irak.

"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Qyteti i Kharkivit në Ukrainë, i shkatërruar nga sulmet ruse

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre përdorën një forum ndërkombëtar dhe ligjin për ta justifikuar luftën.

Putin nuk ka bërë asgjë nga këto. Hera e fundit që pamë një pushtim si ky, ishte kur Sadam Husseini pushtoi Kuvajtin në vitin 1990.

Pra, kur them se e ekzagjerojmë poshtërsinë e tij, nuk po përpiqem të nënvlerësoj atë që ka ndodhur.

A ndjen Putin ndonjë pakënaqësi ndaj Perëndimit?

Mendoj se pakënaqësia është ajo që ka nxitur gjithë këtë. Ai ndjen se Perëndimi po përpiqet ta mbajë nën thundër Rusinë dhe se SHBA po orkestron të gjitha këto për t'i shkatërruar dhe vjedhur pasurinë e tyre.

Kjo ka qenë tema e deklaratave të tij prej vitesh.

Megjithatë, kur ai erdhi për herë të parë në pushtet, pati një përpjekje të vërtetë nga ana e tij për të ruajtur apo edhe përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe Evropën.

Gjatë dy mandateve të para presidenciale, Putin kishte marrëdhënie të mira me Berluskonin në Itali dhe me ish-ministrin e Jashtëm Gerhard Shrëder në Gjermani, me të cilin u bë mik dhe më vonë e punësoi në një kompani shtetërore ruse.

"Po mendohet gabim se Putini do të rikrijojë Bashkimin
Protestat në Maidán, Kiev, 14 dhjetor 2013.

Pra, nuk ka qenë gjithmonë ashtu siç është tani, por mendoj se padyshim me rastin e SHBA-së dhe NATO-s, dhe padyshim me të gjithë Ukrainën, kryengritjet popullore dhe Revolucioni Portokalli në Maidan në 2014, Putin krijoi këtë vizion të errët për Perëndimin.

Mendoj se gjithçka ka të bëjë me ndjenjën se Rusia është një fuqi e madhe dhe se NATO është krijuar për ta shkatërruar atë.

Nëse Putini fiton gjithmonë, a mund ta fitojë këtë luftë?

Natyrisht që nuk mund të bëj asnjë parashikim, por është e vështirë për mua të shoh se si Rusia mund të dalë fitimtare. Edhe nëse arrin të pushtojë Ukrainën dhe të vendosë një qeveri dhe regjim ushtarak, duket se nuk i ka mjetet. Edhe nëse e arrin këtë, do të duhet të përballet me izolimin dhe dënimin mbarëbotëror me të cilin përballet sot. Shumë njerëz thonë se Kina është në anën e tyre dhe është e vërtetë që Kina nuk po kritikon pushtimin, por Kina nuk ndjehet rehat me këtë situatë.

Ai vetë është futur në një cep dhe ka shenja që po kërkon një rrugëdalje nga kjo.

Është e vështirë të imagjinohet, duke pasur parasysh pasojat, jo vetëm për të, por për të gjithë Rusinë, se ai mund të ketë sukses/BBC- Përktheu VOXnews 



Video