Investigimi ‘imoral’ për 30 mjekët shqiptarë në Itali, si e harroi Corriere kaq shpejt pandeminë në Breshia

28 March 2022, 19:19Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Investigimi ‘imoral’ për 30 mjekët shqiptarë në
Kamionët e ushtrisë italiane transportojnë trupat e viktimave të Covid në zonën e Bergamos më 18 mars 2020

Redaksia lokale e Milanos e Corriere della Sera publikoi këtë të hënë një investigim, ku tregohej se si 30 mjekët shqiptarë, sipas këtij artikulli u kishin kushtuar autoriteteve italiane 3 milionë euro nga taksat.

Autori i investigimit thotë në shkrim se shifra del nga hetimet që po kryejnë autoritetet vendase në lidhje me shpenzimet e kryera gjatë pandemisë në zonën e Bergamos në muajt e parë të pandemisë.

Kjo do të thotë se shifra nuk është as zyrtare e rrjedhimisht as e besueshme, të paktën për momentin. Por, përtej kostove dhe harxheve që siç thuhet në artikull u paskan kushtuar mjekët shqiptarë, i gjithë shkrimi tingëllon imoral.

Investigimi ‘imoral’ për 30 mjekët shqiptarë në
Kamionë të ushtrisë italiane me viktima të Covid në Bergamo, 26 mars 2020

Pse? Së pari, duhet pasur parasysh periudha kur Shqipëria e vogël i shtriu dorën e ndihmës Italisë së madhe, me një sistem shëndetësor shumë herë më të zhvilluar se i yni, por që përballë valës së pandemisë u shkërmoq brenda javësh.

Atë mars, Bergamo ishte totalisht i izoluar për shkak të virusit dhe përgjatë të gjithë muajit regjistroi vetëm ky rajon italian thuajse 6 mijë të vdekur nga Covid. Pra, bilanci ishte më i rëndë se një bilanc lufte dhe i krahasueshëm, për nga fatalitetet me luftën reale që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë. Dallimi është se qendra e luftës së Italisë me Covid ishte Bergamo dhe Breshia, ndërsa në Ukrainë është Mariupoli.

Investigimi ‘imoral’ për 30 mjekët shqiptarë në
Avionë të ushtrisë gjermane marrin nga Bergamo pacientë me Covid për t'i kuruar në Gjermani

Sot, përballë kësaj lufte, ukrainasit nuk po llogarisin kostot financiare përpara atyre njerëzore dhe në këtë prizëm, të paktën moral, edhe Italia nuk i llogariti në atë periudhë kostot financiare. Hetimet po vijojnë dhe në fund të tyre mund të rezultojë e vërtetë që 30 mjekët shqiptarë u kanë kushtuar 3 mln euro, në një kohë që vendi shpenzoi miliarda për të frenuar virusin dhe ulur kostot njerëzore.

Por, kostoja prej 3 mln eurosh e shqiptarëve nuk është gjë para faktit që në ekipin prej 100 e ca mjekë e infermierë rusë, mbi 70 dolën më vonë që ishin punonjës të shërbimeve sekrete ruse, që livadhisën për javë me radhë të lirë në rrugët e Italisë.

Investigimi ‘imoral’ për 30 mjekët shqiptarë në
Ambulanca me të sëmurë me Covid që presin në radhë në një spital të Bergamos, mars 2020

Sigurisht, Corriere ka të drejtë kur shkruan se 30 mjekët shqiptarë u dërguan e shfrytëzuan nga Kryeministri Edi Rama për propagandë. Kjo ndodhi si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Brenda krijoi idenë se Shqipëria jo vetëm i kishte kapacitetet që të përballonte vetë pandeminë, por sistemi kishte edhe tepri burimesh njerëzore.

Jashtë, misioni u shfrytëzua për të kuruar imazhin e vendit në sytë e BE-së dhe avancuar në ambicien e integrimit. Në të dyja rastet, kjo propagandë, ndoshta mund të ketë marrë jetë në Shqipëri, por e sigurt që në Itali ka shpëtuar...qoftë ajo edhe një jetë e vetme, që vlen më shumë se 3 mln euro.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video