Artan Lame, kreu i Kadastrës në një dalje ditën e djeshme në Report TV për inventarin tragjik të pronave në Durrës u përpoq t'i jepte përgjigje interesimit publik kur u akuzua se çfarë kishte pritur tetë vjet për të bërë inventarin e pronave në qytetin bregdetar.
“Më thatë se janë 8 vjet. Në fakt unë vetëm dy vjet kam në krye të Kadastrës. Kam qenë drejtor i aluiznit dhe aluizni ka qenë një institucion e mori qeveria pas 2013 dhe unë u ndodha kur isha drejtor që u shua. Aluizni u shua sepse ne e mbajtëm fjalën për legalizimeve. Është një problem i shuar pavarësisht se herë pas here ka problematika.
Shifrat e fundit janë për 225 apo 226 mijë legalizime. Pra është një problem i mbyllur. Institucioni aktual është Kadastra, i krijuar në 2020 mbi një reformë themeltare për Kadastrën dhe ligji 2020 që jep një rrugëzgjidhje” sqaroi Artan Lame.
E në krye të Kadastrës, prej dy vitesh, nga viti 2020, Lame tha se puna filloi në bregdet, në Vlorë, ku pati shumë problematika me ndryshimet e drejtorëve por që në thelb, ishte gjithçka për reformën e madhe të Kadastrës për regjistrimin e pronave në bregdetin e Jugut, një proces që është vënë në vijë.
“Bregdeti ka qenë pjesa më interesante në Shqipëri. Ne e filluam me Vlorën për shkak të ngarkesave të forta që kishte Vlora dhe bregdeti jugut. Iku epoka e ndërrimit të drejtorëve. Tani njeriu më i shqetësuar në Vlorë është drejtori i kadastrës. Është një djalë i shkëlqyeshëm Vlore dhe ka mbi supe një presion të jashtëzakonshëm dhe unë komunikoj vazhdimisht me të mbi bazë të ankesave. Vlora është qetësuar nga problemet.
Bregdeti i jugut ka qenë një minë me sahat të gjithë e hapnin dhe e mbyllnin. Nuk është bërë kurrë regjistrimi i pronave. Po përfundon dhe kjo. Në këtë pikë filluam të merremi me Durrësin. Durrësi i ka problemet më të rënda se të Vlorës. Dhe nëse niveli ekonomik i Vlorës është më i vonshëm në Durrës kanë filluar që në vitet ’90.
Problematikat e krijuar në ZRPP e dikurshme kanë kohë. Ajo që bëmë ne hoqëm zyrat e Durrësit nga Durrësi. Për dy arsye të thjeshta: zyrat e kadastrës ishin brenda një qendre private tregtare. Unë mendoj se një shtet zyrat e pronave janë më të rëndësishme se komisariatet. Për mua tapitë e shtetit janë më të rëndësishme se çdo gjë.
E hoqëm dhe e sollëm në Rinas dhe filluam një iventar. Dhe këtë vit bëmë këtë inventar. Nuk menduam se do dilte kaq i rënduar. Dhe kjo ishte e dukshme nga raporti. Zona e plazhit, Spitallës, Lalzit, Rodonit dhe gjithë pjesa e bregdetit”, tha Lame.
Dhe në fund kreu i Kadastrës e ka një apel.
“Duhet të kuptoni se në zyrat tona ditë pas dite, në bazë të ankesave dhe shqetësimeve, ka shumë njerëz që largohen. Kjo nuk është krenari. Unë nuk mund të dal përditë e të them për këta njerëz në televizione. Sepse besoj se duhet të punojmë akoma për të ndryshuar sistemin.
Dhe sa për pronat duhet ta mbledhim mendjen njëherë e mirë se për pronat në Shqipëri do të flitet edhe pas 300 vitesh. Ajo që është e mërzitshme për njerëzit dhe e pafalshme për gjithë politikën shqiptare, është e padurueshme për administratën e shtetit shqiptar është se duhet të zgjaste kaq shumë vënia në hulli për problemet e pronës”, tha Artan Lame, kreu i Kadastrës Shqiptare.