Shënim: Mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dot një emër për Presidenti konsensual, ama konsensusi u gjet në heshtje për të konfirmuar edhe për pesë vite të tjera në krye të Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sulën.
Sipas këtij vlerësimi të deputetëve, Gentiana Sula ka bërë një punë të mirë në krye të këtij Autoriteti. Por cila është puna e tij? Misioni kryesor i këtij autoriteti është që t’u tregojë shqiptarëve krimet çnjerëzore të regjimit komunist. A e bëri këtë në pesë vite kur drejtohej nga Gentiana Sula? Çfarë dosje u zbardh? Cili emër publik, politik, apo i tërhequr nga politika u denoncua nga Autoriteti i Gentiana Sulës në këtë 5-vjeçar?
Përgjigja është e thjeshtë: askush! Autoriteti në këto pesë vite më shumë ka shërbyer si mburojë për të mbajtur në sirtar dosjet e krimeve të komunizmit, përfshirë këtu edhe ato të kampit famëkeq të Tepelenës, ku në vitet e para të regjimit humbën jetën edhe fëmijë të internuar, kryesisht nga veriu i vendit.
Tjetër mision i Autoritetit është ai i verifikimit të emrave që kandidojnë për poste drejtuese në politikë, administratë, apo në drejtësi. Për këtë grup verifikohen nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit para ’90-s apo jo. A ka ndonjë emër të denoncuar nga Autoriteti në këtë 5-vjeçar të drejtuar nga Gentiana Sula? Jo!
Kjo është fryma e drejtimit të Autoritetit të Dosjeve sot, që nën drejtimin e Gentiana Sulës, sipas votimit me 105 vota pro në Kuvend dhe me vetëm një kundër po shërben shumë mirë. Por, nuk po i shërben as ish të përndjekurve, as qytetarëve. Po siç duket po i shërben ashtu siç duhet politikës, duke mbajtur ‘sekret’ e larg publikut mëkatet e saj të së shkuarës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.