Kryeministri Edi Rama dhe socialistët më pas kanë përsëritur vazhdimisht se duan që Presidenti i ri të jetë një antipod i Presidentit aktual, i cili, sipas tyre, të ketë figurën dhe integritetin që të korrigjojë sa të jetë e mundur dhe sa më shpejt dëmin që i ka bërë Ilir Meta këtij institucioni.
E ku ka më mirë se një emër që është përballur drejtpërdrejt me Ilir Metën kur vjen puna për reformën në drejtësi.
Në procesin e mbledhjes së tre propozimeve nga secili deputet socialist më 30 prill. Mes propozimeve janë edhe dy emra që po konsiderohen si më të kuotuarit; Ardian Dvorani dhe Bajram Begaj.
Përpos mbërritjes si propozime të deputetëve socialiste, ata kanë nisur të përmenden më shumë si kandidatë potencialë për President. Voxnews.al pyeti disa deputetë të PS-së, të cilët nuk mohuan se emrat e tyre janë mes propozimeve dhe ndër më të përfolurit në seli.
Por...
“Këtë punë e di vetëm ‘i gjati’. Ku e dimë ne se çfarë ka ai në mendje”, thanë deputetët në grup.
Ardian Dvorani është profili i kundërt i Ilir Metës. Nëse për Presidentin aktual thuhet se dosja ‘non grata’ nga përtej oqeanit për përfshirje në afera madhore korruptive është gati, po përtej Atlantikut Ardian Dvorani u vlerësua me titullin “Kampion i Antikorrupsionit”.
Shqipëria ka nxjerrë shumë kampionë në sport, por aspak në drejtësi e aq më pak në politikë. Ndaj është koha që kampionët të vlerësohen edhe në vendin e tyre. Vetëm “rrahja e shpatullave” dhe përmendja nëpër deklarata publike, siç vetë Edi Rama i është referuar në disa raste kur i ka kërkuar SPAK-ut që të hetojë Gërdecin, 21 Janarin, apo CEZ-DIA-n, nuk mjafton më.
Jo sepse Ardian Dvorani është i papunë, a do të ngelet pa punë dhe i duhet një rrogë, por sepse nëse Shqipëria synon që të konsolidojë demokracinë dhe shtetin e vet ligjor, atëherë i duhen kampionët e antkorrupsionit.
Përveç kësaj, zgjedhja e Dvoranit do të ishte edhe një goditje e fortë për Metën, që përplasjen me ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ktheu nga një përplasje institucionale në një përplasje inatçore personale.
Kandidati tjetër, Bajram Bega gjithashtu është një emër dinjitoz për Presidencën. Ai aktualisht është shef i shtabit dhe brenda PS-së duket se gëzon mbështetjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Me profesion mjek, Begaj u emërua shef i Shtabit nga Ilir Meta me propozim të Qeverisë.
Këta janë dy emrat që plotësojnë kushtet e vendosura nga PS. Janë jashtë grupit të tyre parlamentar dhe jo vetëm të papërfshirë në politikën aktive, por “të papërlyer” fare me të.
...ose, ose PS mund të zgjedhë mes kandidaturave që rrodhën nga mbledhja e gjysmagrupit të PD-së këtë të enjte, ku absurdi është edhe propozimi për të bërë princin president.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.