Qeveria disa muaj më parë ka miratuar rregullat teknike “Për ashensorët, komponentët e sigurisë dhe përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara” duke synuar me këtë rast përafrimin e kuadrit rregullator me kërkesat e direktivës së Bashkimit Europian.
Siguria e ashensorëve është kthyer në një problem në Shqipëri së fundmi disa persona për shkak të defekteve të rënda. Rasti më i fundit ishte ai që ndodhi mbrëmë në godinën e Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme në QSUT ku mbetën të dëmtuar rëndë një paciente si edhe punonjësi që mbante barrelën si pasojë e rëniës së ashensorit.
QSUT kontrakton kompani private për mirëmbajtjen e ashensorëve dhe në rastin në fjalë përgjegjëse ishte kompania “Sulollari Klima”, e cila disa muaj më parë kishte marrë tenderin me vlerë 24 milion lekë me TVSH për të kryer këtë shërbim, shkruan Abc. “Sulollari Klima” është kompani e specializuar për kondicionerë, por duket se janë ndjerë të aftë edhe për mirëmbajtjen e asheshorëve duke çuar në aksidentin e rëndë mbrëmë.

Detaje të reja nga ngjarja ashensori u shkëput dhe ra në katin -1 teksa në të hipen tre persona, një infermiere, një paciente 80 vjeçare si edhe punonjësi që merrej me mbajtjen e barrelës së të sëmurit.

Por, ndërkohë që po tentonin të shkonin disa kate më sipër, ashensori shkëputet dhe bie në katin -1 duke i shkaktua dëmtime të rënda të moshuarës si edhe transportuesit të barrelës. Ata mbetën në katin -1 për disa minuta edhe pse me dëmtime trupore deri sa erdhën forcat zjarrfikëse që i nxorën duke i transportuar në Spitalin e Traumës.

Policia ka marrë në pyetje infermieret e turnit, të cilat kanë theksuar se ashensori kishte patur probleme edhe më herët, por nuk ishin përballuar me një situatë të tillë. Ato janë shprehur para policëve se shpesh ashensori ngecte mes kateve apo nuk funksiononte shpesh.
Ndërkohë që ka shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.4 teknikun e Sulollari Klima”, përgjegjës për mirëmbajtjen e ashensorit, pritet që policia të marrë në pyetje edhe Ardian Sulollarin, pronarin e kompanisë në fjalë.
Rregullat për mirëmbajtjen e ashensorit:
Përcaktimi i më i saktë e detyrimeve të prodhuesit, instaluesit, institucioneve mbikëqyrëse të tregut apo edhe kërkesave bazë për sigurinë janë disa nga çështjet që trajton rregullorja e re. Së pari lidhur me prodhuesin dhe instaluesin e ashensorit kërkohet që të mbahen dokumentet për të afat minimal prej 10 vitesh.
Instaluesi gjithashtu duhet të vendosë në ashensor të gjitha detajet tregtare të tij si dhe të regjistrojë në një regjistër të veçantë ankesat.
“Instaluesi mban dokumentacionin teknik, deklaratën EU të konformitetit dhe, sipas rastit, vendimin/et e miratimit për 10 vjet mbasi ashensori është vendosur në treg.
Kur shikohet e përshtatshme lidhur me risqe të paraqitura në një ashensor, instaluesi, për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve, heton dhe, nëse është e nevojshme, mban një regjistër të ankesave dhe mospërputhjeve të ashensorit.
Instaluesi siguron që në ashensor të jetë vendosur tipi, partia ose numri serial ose elemente të tjera që lejojnë identifikimin e tyre. Instaluesi tregon në ashensor emrin e tij, emrin tregtar të regjistruar dhe adresën postare ku ai mund të kontaktohet. Adresa tregon një pikë të vetme ku instaluesi mund të kontaktohet. Detajet e kontaktit të jenë në shqip” thuhet në rregulloren e re.
Organi kryesor që do të mbikëqyre aktivitetet që lidhen me pjesën e ashensorëve është Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. Ky i fundit nëse konstaton se një ashensor nuk përmbush parametrat dhe standardet e duhura njofton palën që ka bërë instalimin për të marrë masat dhe nëse gjen kundërshti nga ky i fundit atëherë ndalimi kalon në instance të tjera.
“Struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut (në vijim, ISHMT) merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar se ashensorët e mbuluar nga ky rregull teknik mund të vendosen në treg dhe në shërbim vetëm nëse ato janë në përputhje me këtë rregull teknik, kur instalohen, mirëmbahen dhe përdoren brenda qëllimit të tyre të parashikuar” thuhet në rregullore. Kjo e fundit përfshin edhe një sërë aneksesh që detajojnë procedurat dhe standardet rast pas rasti.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.