Ilir Meta ishte Kryeministër i vendit nga nëntori i 1999-s deri në shkurt të 2002-t. Por, periudha e shkurtër prej më pak se tre vitesh ishte e mbushur me akuza e skandale nga ato më të rëndomtat, te afera të mirëfillta korruptive.
Shumë prej këtyre akuzave e skandaleve janë denoncuar nga Sali Berishë në atë kohë, që e akuzonte Metën nga vjedhja e vajit ushqimor, e taksës ‘Majko’, deri te aferat miliona dollarëshe me tenderat në rrugë, ujësjellës, infrastrukturë dhe energji.
Pa përfshirë akuzën për vjedhjen e floririt në Kërrabë, akuzat e tjera që ngriti në atë kohë Sali Berisha ndaj Metës ishin me dhjetra. Ai e akuzonte si njeriun që futi korrupsionin në politikë, që përfshiu kriminelët dhe të kërkuarit e drejtësisë në polici, madje që u siguronte edhe emigrim duke i bërë pjesë të delegacioneve zyrtare gjatë vizitave në Europë.
Shumica e akuzave të Berishës ndaj Metës janë shqiptuar pas zgjedhjeve të 2001, pra në dy vitet e fundit të qeverisë ‘Meta’. Nga këto, në një vit, struktura antikorrupsion në Kryeministri është drejtuar nga Arben Kraja.
Se sa ka funksionuar dhe vepruar kjo strukturë, fakti që sot Ilir Meta është President i vendit është prova më e qartë e dështimit të saj. Meta është denoncuar për zhdukjen e 530 mln lekëve donacionet të BE për nxitjen e punësimit.
Është denoncuar se ka zhdukur mbi 13 mln dollarë me tendera fiktivë për rikonstruksionin e rrugëve në Tiranë, Durrës, Elbasan e Fushë-Krujë.
Është denoncuar për vjedhjen e 200 mijë tonë grurë dhe 100 mijë ton vaj ushqimor, që erdhi në vend si ndihmë e SHBA.
Ai është denoncuar për vjedhjen e 250 mln lekëve nga buxheti i shtetit përmes blerjes së rreme të vagonëve nga Austria, për të cilët më pas firmos shitjen për skrap.
Meta është denoncuar se ka lejuar kompaninë polake Gdansk që të largohet nga porti i Durrësit, duke shitur kapitalet dhe lënë pas një borxh prej 11 mln dollarësh në formën e detyrimeve për taksat e tarifat e papaguara.
Ilir Meta është denoncuar për përpjekjen për të privatizuar Telekomin me shifrën qesharake prej 600 mln lek, ndërkohë që kompania u shit tre vite më vonë për 120 mln dollarë.
Këto janë disa nga skandalet më të bujshme që kanë shoqëruar qeverisjen e Ilir Metës. Një pjesë e mirë e këtyre denoncimeve thuhet se kanë përfunduar në SPAK, duke i dhënë një mundësi të dytë Arben Krajës, që të bëjë atë që nuk e bëri dot kur drejtonte antikorrupsionin brenda qeverisë së Ilir Metës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.