Socialistët rrëzojnë nenin e Braçes për mbrojtjen e Butrintit

17 May 2022, 16:44Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Socialistët rrëzojnë nenin e Braçes për mbrojtjen e
Deputeti i PS, Erion Braçe gjatë një seance plenare në Kuvend

Komisioni i Ekonomisë diskutoi dhe miratoi nen për nen këtë të martë projektligjin që kalon menaxhimin e Parkut të Butrintit te një fondacion privat.

Miratimi i projektligjit nuk kaloi pa debate edhe mes vetë mazhorancës. Deputeti Erion Braçe propozoi që në projektligj dhe marrëveshje të reflektoheshin garanci se në zonat e mbrojtura brenda dhe përreth parkut arkeologjik të ndaloheshin ndërtimet.

Sipas propozimit të Braçes, projektligji ngarkonte Qeverinë që të mbrojë dhe garantojë paprekshmërinë e kufijve të parkut, përfshirë edhe ato jashtë zonës A3, ku shtrihet parku arkeologjik.

Kjo zonë, e njohur si zona mbrojtëse Ramsar është ndryshuar me ndryshimet e fundit të zonave të mbrojtura që ndërmori qeveria. Por, sërish janë në to, sipas kategorive ndalohet ose kufizohet zhvillimi, si masë parandaluese për mbrojtjen e parkut.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti rrëzoi kërkesën e Braçes duke pretenduar se ato nuk ishin pjesë e marrëveshjes me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Ministrja tha se objekt i marrëveshjes është vetëm zona A3, pra Parku Arkeologjik ku ndalohet kategorikisht ndërtimi.

Por, ndërtimet nuk përjashtohen nga zonat e tjera të mbrojtura, si A1, A2 dhe C1 e C2.

Socialistët rrëzojnë nenin e Braçes për mbrojtjen e

Qeveria shqiptare përmbylli në fund të prillit procedurat ligjore për ndërtimin e një resorti turistik në Gjirin e Manastirit në Sarandë. Resorti është i pari që pritet të ndërtohet në zonën bregdetare Sarandë -Butrint, një nga zonat më të lakmuara të vendit për ndërtime turistike.

RReth 800 hektarë të kësaj zone bregdetare deri në janar të këtij viti ishin pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, por u hoqën me një vendim qeverie në kuadër të rishikimit të kufijve natyrorë të disa parqeve kombëtare. Harta e Parkut të Butrintit, me ngjyrë portokalli zona prej 800 hektarësh, ish pjesë e parkut në kategorinë “B”, tashmë e hequr në janar 2022 nga qeveria në kuadër të rishikimit të kufijve të zonave të mbrojtura.

Sipërfaqja e hequr së fundi prej 800 hektarësh, në një pjesë të së cilës do të ngrihet “Manastiri Resort” ishte përfshirë në zonën e Parkut të Butrintit prej vitit 2005 dhe gëzonte statusin e mbrojtur në kategorinë “B”, ku nuk lejoheshin zhvillime ndërtimore intensive.

Projekti “Manastiri Resort” që do të zbatohet, fitoi statusin e investimit strategjik në fund të vitit 2021 me një vendim të Komitetit të Investimeve Stategjike. vlera e investimit parashikohet 28 milionë Euro.

 


Video