Pak më shumë se një javë më parë, pas qëndrimit në Bruksel, Kryeministri Edi Rama deklaronte me bindje se Mali i Zi do t’i bashkohej nismës së Ballkanit të Hapur, që sipas tij ishte çështje kohe që t’i bashkoheshin të gjithë.
“Ballkani i Hapur funksionon dhe do të funksionojë gjithmonë e më mirë. Tani ne presim që edhe Mali i Zi t’i bashkohet, domethënë është çështje kohe, unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë përveçse tek kooperimi, tek bashkëpunimi, kështu që sigurisht që është humbje kohe patjetër për ata që ngurrojnë, apo refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur”, tha Rama.
Bindja e Ramës që Mali i Zi të bëhej pjesë pasonte zgjedhjen e shqiptarit Dritan Abazoviç si Kryeministër të Malit të Zi. Abazoviç është shprehur pro kësaj nisme.
Por, në këtë deklaratë duket se Rama i bëri hesapet pa hanxhiun. Abazoviç është kryeministër falë votave të partisë së Presidentit malazez, Milo Gjukanoviç. Ky i fundit përsëriti qëndrimin kundër pjesëmarrjes në Ballkanin e Hapur.
Gjukanoviç, pas takimit që pati të martën me presidentin e Gjermanisë, Frank-Ëalter Steinmeier, tha se Malit të Zi dhe shteteve të rajonit u duhet anëtarësimi në Bashkimin Evropian e jo alternativat, siç e quajti ai ‘Ballkanin e Hapur’.
“Ne kemi qëndrime të ndryshme për këtë iniciativë. Unë kam dëgjuar shumë herë prej tij se si pjesë e mbështetjes së tij për të gjitha nismat rajonale, e mbështet edhe këtë. Gjithashtu, disa herë e kam deklaruar publikisht se nuk mendoj se kjo është një nismë optimale”, tha Gjukanoviç.
Këtyre deklaratave, Rama iu përgjigj tërthorazi 24 orë më vonë.
“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, shkroi ai.
Megjithatë, përsa kohë në Podgoricë do të caktojë qeverinë Milo Gjukanoviç është ai që e ka në dorë nëse vendi duhet t’i bashkohet Ballkanit të Hapur apo jo. Dritan Abazoviç pa pëlqimin e Gjukanoviç i ka duart e lidhura, madje rrezikon që t’i shembet qeveria nën këmbë me një të kërcitur të gishtërinjve.
Prandaj, Edi Rama i bëri pazaret pa hanxhiun kur tha se Mali i Zi do t’i bashkohej Ballkanit të Hapur, tani që Kryeministër ishte zgjedhur një proballkanist i hapur.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.