
Në një ishull ushtarak ku era të merr me vete, pranë Helsinkit, njerëz nga të gjitha sferat e jetës po kalojnë fundjavën e tyre duke bërë stërvitje ushtarake, ndërsa numri i vullnetarëve rritet dhe Finlanda po përgatitet të bashkohet me NATO-n për t'u mbrojtur nga Rusia.
Forcat mbrojtëse të Finlandës kanë vetëm rreth 13,000 personel të punësuar, por vendi me 5.5 milionë banorë krenohet me një shifër mbresëlënëse prej 900,000 rezervistësh me një fuqi prej 280,000 trupash në kohë lufte. Finlanda ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë.
Për shumë nga pjesëmarrësit që ndiqnin kursin e trajnimit të kësaj fundjave në ishullin Santahamina, pushtimi i Moskës më 24 shkurt ndaj një fqinji tjetër, Ukrainës, ishte faktori vendimtar që i detyroi ata të regjistroheshin e përgatiten për më të keqen.
"Këto ngjarje të fundit në Ukrainë ishin shenja përfundimtare se është e nevojshme të jesh i përgatitur në jetën, në mënyrë që nëse diçka ndodh, qytetari të jetë i pajisur më mirë për një krizë", tha inxhinieri 30-vjeçar, Ville Mukka pas trajnimit për dyliftimin trup më trup me thikë.
Ai dhe vullnetarët e tjerë veshën uniforma kamuflazhi, disa të veshur me helmeta me degë të futura në to, ndërsa stërviteshin në luftime trup më trup, zbulimin e eksplozivëve dhe lëvizjen e skuadrës në pyll. Një javë pas fillimit të luftës në Ukrainë, regjistrimet për kurset e mbrojtjes vullnetare u rritën në Finlandë. “Interesi për trajnimin vullnetar ishte rreth 10 herë më i lartë se në vitet normale,” tha Ossi Hietala, 28 vjeç, një përfaqësues i Shoqatës Kombëtare të Trajnimit të Mbrojtjes së Finlandës.
Ndërsa rreth 600 persona zakonisht regjistrohen gjatë një jave normale, numri i regjistruar në kurset në javën e fundit të shkurtit u hodh në 6,000. Për të përmbushur kërkesën e shtuar shoqata mori fonde shtesë prej afro tre milionë euro nga shteti në prill.
Finlanda zhvilloi dy luftëra të përgjakshme kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, me vendin nordik që përfundimisht i dorëzoi zona të gjera toke fqinjit të tij të fuqishëm lindor.