Intervistë me z. Eglinor Ramaj, drejtor ekzekutiv i DigitAlb
Tregu i platformave televizive me pagesë po ndryshon me shpejtësi, i nxitur nga rritja e shërbimeve streaming dhe ndryshimi i mënyrës se si konsumatorët zgjedhin të shohin përmbajtjen.
Për DigitAlb, sfida kryesore është përshtatja e vazhdueshme me këto tendenca përmes investimeve në teknologji, zgjerimit të ofertës dhe krijimit të një përvoje më fleksibël për abonentët.
Eglinor Ramaj, drejtor ekzekutiv i DigitAlb, thotë se kompania ka regjistruar ecuri pozitive në vitin 2025 dhe pjesës së parë të vitit 2026, e mbështetur nga investimet në përmbajtje dhe teknologji.
Sipas tij, konkurrenca në treg nuk përcaktohet më vetëm nga numri i kanaleve, por nga aftësia për t’u ofruar abonentëve përmbajtje cilësore, fleksibilitet dhe një eksperiencë të personalizuar.
Platforma OTT, e prezantuar në vitin 2022, është një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të DigitAlb, duke u dhënë abonentëve mundësinë të aksesojnë përmbajtjen në mënyrë më të pavarur nga oraret tradicionale të transmetimit, përmes funksioneve si Video on Demand dhe Catch Up TV.
Si ka qenë ecuria e DigitAlb gjatë vitit 2025 dhe në pjesën e deritanishme të vitit 2026? Cilët janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në performancën e kompanisë?
Gjatë vitit 2025 dhe në vijim të vitit 2026, DigitAlb ka regjistruar ecuri shumë të mirë, me rritje të ndjeshme të shitjeve dhe interes në rritje nga abonentët.
Kjo performancë është rezultat i një strategjie të qartë dhe të fokusuar në dy shtylla kryesore: pasurimin e përmbajtjes dhe inovacionin teknologjik.
Nga ana e përmbajtjes, kemi investuar për ta bërë ofertën tonë më të plotë se kurrë më parë. Përveç zgjerimit të kanaleve tematike dhe përmbajtjes së dedikuar për të gjithë familjen, kemi konsoliduar ofertën sportive duke përfshirë praktikisht të gjitha kompeticionet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Sot abonentët e DigitAlb mund të ndjekin në një platformë të vetme Premier League, La Liga, UEFA Champions League, Serie A, ndeshjet e Kombëtareve të Shqipërisë dhe të Kosovës, si edhe shumë kompeticione të rëndësishme nga të gjithë sportet.
Kjo e ka bërë DigitAlb destinacionin kryesor për sportin premium në tregun shqiptar.
Paralelisht, kemi vazhduar të investojmë në teknologji për ta bërë përvojën e shikimit më fleksibël dhe më të përshtatshme me stilin e jetës së sotme. Funksioni Video on Demand u jep abonentëve mundësinë të zgjedhin dhe të shohin filma, seriale dhe programe në momentin që ata dëshirojnë, pa qenë të lidhur me orarin e transmetimit.
Ndërsa Catch Up TV u lejon të rikthehen dhe të shohin emisionet apo ndeshjet që kanë humbur, edhe pasi ato janë transmetuar. Këto janë funksionalitete që ndryshojnë mënyrën tradicionale të konsumimit të televizionit dhe i ftojmë të gjithë abonentët t’i eksplorojnë, sepse ofrojnë një eksperiencë shumë më komode, moderne dhe të personalizuar.
Besoj se kombinimi i një oferte të pasur me përmbajtje ekskluzive dhe investimeve të vazhdueshme në teknologji ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në performancën e kompanisë gjatë kësaj periudhe.
Ky është edhe drejtimi që do të vazhdojmë të ndjekim, për t’u ofruar abonentëve gjithmonë më shumë vlerë dhe një eksperiencë televizive në nivelin më të lartë.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për pjesën e mbetur të vitit 2026 dhe për periudhën në vijim? Ku prisni të vijë rritja e mëtejshme e kompanisë?
Pritshmëritë tona për pjesën e mbetur të vitit 2026 dhe për vitet e ardhshme janë optimiste. Rezultatet që kemi arritur deri tani na japin besim, por edhe përgjegjësi për të vazhduar të investojmë dhe të zhvillohemi.
Ajo që na nxit më shumë është fakti se interesi i audiencës për përmbajtje cilësore dhe për një eksperiencë televizive moderne është në rritje të vazhdueshme.
Në një treg gjithnjë e më konkurrues, objektivi ynë nuk është thjesht të rrisim numrin e abonentëve, por të krijojmë një marrëdhënie afatgjatë me ta, duke ofruar vazhdimisht më shumë vlerë.
Kjo është arsyeja pse mbetemi optimistë për perspektivën e kompanisë dhe besojmë se kemi ende hapësira të konsiderueshme për rritje në vitet që vijnë.
Platforma OTT, e prezantuar në vitin 2022, paraqitet në raportin tuaj si një nga drejtimet me potencialin më të lartë të zhvillimit. Si ka ecur kjo platformë dhe sa peshë zë sot në biznesin e DigitAlb?
Platforma OTT është, pa dyshim, një nga projektet më strategjike të DigitAlb dhe një nga investimet më të rëndësishme që kemi realizuar në vitet e fundit.
Ne nuk e shohim atë thjesht si një kanal të ri shpërndarjeje të përmbajtjes televizive, por si një transformim të thellë të mënyrës se si televizioni konsumohet sot dhe do të konsumohet në të ardhmen.
Sjellja e audiencës ka ndryshuar ndjeshëm. Shikuesit kërkojnë fleksibilitet dhe duan ta ndjekin përmbajtjen në momentin që u përshtatet.
Platforma OTT i përgjigjet pikërisht këtij realiteti, duke e bërë përvojën televizive shumë më personale dhe më dinamike.
Që nga lançimi i saj, platforma ka njohur ecuri shumë pozitive dhe vazhdon të jetë segmenti me potencialin më të madh të zhvillimit për kompaninë.
Për ne, suksesi i saj nuk matet vetëm me rritjen e numrit të abonentëve, por edhe me cilësinë e marrëdhënies që krijojmë me ta.
Si e vlerësoni konkurrencën në tregun shqiptar të televizionit me pagesë dhe sa ka ndikuar prania në rritje e platformave ndërkombëtare të streaming-ut? Cili është avantazhi konkurrues i DigitAlb përballë tyre?
Tregu i medias dhe i televizionit me pagesë po kalon një transformim të shpejtë, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Sot nuk konkurrojmë më vetëm me operatorët tradicionalë të televizionit, por edhe me platformat globale të streaming-ut, të cilat kanë ndryshuar mënyrën se si njerëzit konsumojnë përmbajtje.
Avantazhi ynë konkurrues ndërtohet mbi tri shtylla kryesore. E para është përmbajtja lokale dhe ekskluzive.
DigitAlb është platforma ku shqiptarët ndjekin ngjarjet sportive që kanë rëndësi të veçantë për ta, si Premier League, La Liga, UEFA Champions League, Serie A, ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë dhe të Kosovës, si edhe shumë kompeticione që nuk gjenden të përqendruara në një platformë të vetme.
Krahas sportit, ne ofrojmë kanale në gjuhën shqipe, informacion, argëtim dhe përmbajtje që lidhet drejtpërdrejt me interesat e publikut shqiptar.
Shtylla e dytë është teknologjia, për të cilën folëm më sipër.
Shtylla e tretë është afërsia me audiencën. Ne e njohim shumë mirë tregun shqiptar dhe nevojat e tij. Kjo na lejon të ndërtojmë një ofertë që reflekton preferencat e familjeve shqiptare, si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë.
Është një avantazh që platformat globale, pavarësisht dimensionit të tyre, e kanë të vështirë ose të pamundur ta ofrojnë.
Unë nuk besoj se e ardhmja do të përcaktohet nga zgjedhja mes televizionit tradicional dhe streaming-ut. E ardhmja u përket platformave që arrijnë të kombinojnë përmbajtjen më të mirë, teknologjinë më të avancuar dhe një njohje të thellë të audiencës. Pikërisht ky është drejtimi në të cilin kemi zhvilluar DigitAlb.
Çfarë strategjie ndiqni për përmbajtjen ekskluzive, veçanërisht sportin, filmat, serialet dhe prodhimet shqiptare? Nga të dhënat tuaja, cilat lloje përmbajtjeje kanë sot shikueshmërinë më të lartë dhe a ndryshojnë preferencat mes klientëve në Shqipëri dhe diasporës?
Strategjia jonë është të ndërtojmë një ofertë të plotë për të gjithë familjen, duke balancuar përmbajtjen sportive me filmat, serialet, dokumentarët, programet për fëmijë dhe kanalet në gjuhën shqipe. Besojmë se vlera e një platforme nuk matet vetëm nga një kategori përmbajtjeje, por nga aftësia për t’iu përgjigjur interesave të çdo anëtari të familjes.
Nga të dhënat tona, si përmbajtja sportive ashtu edhe ajo familjare gëzojnë shikueshmëri shumë të lartë, secila në momentet dhe segmentet e veta të audiencës. Kjo është arsyeja pse vazhdojmë të investojmë në të gjitha kategoritë, duke ofruar një eksperiencë të pasur dhe të larmishme si për abonentët në Shqipëri, ashtu edhe për ata në diasporë.
Pirateria e përmbajtjes mbetet një problem për industrinë audiovizive në Shqipëri dhe rajon. Sa e prek konkretisht DigitAlb dhe çfarë masash teknologjike dhe ligjore po ndërmerrni për mbrojtjen e përmbajtjes dhe të drejtave të transmetimit?
Përballë kësaj sfide kemi investuar vazhdimisht në teknologji të avancuara për mbrojtjen e sinjalit dhe monitorimin e shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjes.
Paralelisht, bashkëpunojmë ngushtë me institucionet shqiptare, me mbajtësit e të drejtave dhe me partnerët tanë për identifikimin dhe ndjekjen ligjore të rasteve të piraterisë. Lufta kundër piraterisë nuk mund të fitohet nga një kompani e vetme; ajo kërkon bashkëpunim të koordinuar midis industrisë, autoriteteve rregullatore dhe organeve ligjzbatuese.
Në këtë drejtim, shohim me shumë pozitivitet angazhimin në rritje të institucioneve shqiptare për forcimin e mekanizmave kundër piraterisë audiovizive.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet sot biznesi dhe cilat janë investimet e planet kryesore të DigitAlb për vitet e ardhshme? Si e shihni kompaninë në të ardhmen: më shumë si operator tradicional televiziv apo si platformë digjitale streaming-u dhe përmbajtjeje?
Ne nuk e shohim më DigitAlb vetëm si një operator tradicional televiziv. Ambicia jonë është të jemi platforma kryesore digjitale e përmbajtjes për shqiptarët kudo që ndodhen.
Televizioni linear do të mbetet një pjesë e rëndësishme e biznesit tonë, por e ardhmja është një model hibrid, ku përmbajtja cilësore dhe teknologjia bashkëjetojnë për t’i ofruar abonentit lirinë të zgjedhë çfarë të shohë dhe kur ta shohë. Pikërisht ky është vizioni që po udhëheq zhvillimin e DigitAlb, e mbi këtë vizion bazohen edhe investimet dhe planet tona strategjike në të ardhmen./Monitor