Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mbyllë sot hetimin paraprak ndaj ndërmarrjes koncesionare të ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të institucionit, në përfundim të procedurës hetimore, Komisioni i Konkurrencës nuk vërejti shenja të kufizimit të konkurrencës.
Njoftimi i plotë:
Komisioni i Konkurrencës morri në shqyrtim raportin e Sekretariatit mbi hetimin paraprak ndaj ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK, në tregun e ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm.
NOA CONTROL SHPK, në bazë të Kontratës së Koncesionit “Për shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm” të nënshkruar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ka të drejtën e vetme dhe ekskluzive të kryejë shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, gjatë gjithë periudhës koncesionare.
Në përfundim të procedurës hetimore, nuk u evidentuan shenja të kufizimit të konkurrencës nga ana e ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK në ofrimin e shërbimit të verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe GLN-së, në kuptim të nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës mori Vendimin nr. 884, datë 18.05.2022, nëpërmjet të cilit vendosi mbylljen e procedurës së hetimit paraprak dhe detyrimin e ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK, si një ndërmarrje me të drejta të veçanta, që gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj të respektojë parimet dhe rregullat e konkurrencës, veçanërisht parashikimet e nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të nenit 70, pika 2 e ligjit, vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si vijon:
a) Miratimin e një metodologjie për llogaritjen e ndryshimit të tarifave të shërbimeve të ofruara nga Shoqëria Koncesionare NOA Inspect SHPK, tarifa këto të cilat duhet të jenë të argumentuara dhe të orientuara drejt kostos;
b) Në çdo rast të ndryshimit të tarifave të ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm dhe çdo shërbimi tjetër të ofruara nga Shoqëria Koncesionare NOA Inspect SHPK, të merret paraprakisht vlerësimi ligjor i Autoritetit të Konkurrencës;
c) Miratimin e një metodologjie për vendosjen e përqindjes për instrumentat matës të verifikuara që rezultojnë me probleme, duke implementuar rekomandimin e dhënë nga Komisioni i Konkurrencës exante me vendimin nr. 646/2019, “Për dhënien e disa rekomandimeve në lidhje me Draft Kontratën e Koncesionit me objekt “Për shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm”, pika II/2/a).