Qeveria ‘detyron’ Ministrinë e Arsimit që të paguajë TVSh-në për shkollat e ndërtuara nga BE

17 May 2022, 18:15Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria ‘detyron’ Ministrinë e Arsimit që të
Qeveria ‘detyron’ Ministrinë e Arsimit që të paguajë TVSh-në për shkollat e ndërtuara nga BE

Rritja e çmimeve ka rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit në katër muajt e parë të këtij viti në nivele rekord. Por, Qeveria planifikon që të shpenzojë një pjesë të këtyre parave për t’ua transferuar në formë kompensimi për rritjen e kostove kompanive të ndërtimit që kanë fituar tendera.

Nëse për kompanitë e tenderave pritet që të ofrohen nga 60 deri në 80 milionë euro si subvencion për rritjen kryesisht të çmimit të hekurit dhe të çimentos, për institucionet shtetërore buxheti po shkon në kah të kundërt.

Rasti mbërrin nga Ministria e Arsimit. Kjo e fundit është detyruar që të heqë 168 mln lek nga buxheti i parashikuar me fondet e veta për investime në arsimin bazë, pra atë 9-vjeçar për të mbuluar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të pajisjeve dhe materialeve shkollore në shkollat e ngritura me financim të Bashkimit Europian në kuadër të programit të rindërtimit.

Në 2020, Qeveria miratoi një vendim që përjashtoi nga detyrimi i TVSh-së kompanitë private, institucionet shtetërore qendrore e vendore dhe donatorët e angazhuar në procesin e rindërtimit. Por, nga TVSh u përjashtuan vetëm materialet e përdorura në kuadër të këtij procesi.

Pjesa prej 168 mln lekësh që Ministria e Arsimit do të derdhë sërish në buxhetin e shteti në formën e pagesës së TVSh-së është për materialet dhe bazën e brendshme të mobilimit të shkollave të ndërtuara në kuadër të “EU4Schools”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video