
Qeveria pritet që të vendosë si fond kompensimi për rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit një shumë nga 60 deri në 80 milionë euro.
Shifra nuk është përcaktuar ende, por burime të Voxnews.al pohojnë se vendimi pritet që të merret në mbledhjen e së mërkurës.
Drafti parashikon ndërhyrjen në buxhetin e këtij viti, duke shtuar zërin investime kapitale. Paratë do të ofrohen për kompanitë e ndërtimit të cilat janë të përfshira në projektet madhore infrastrukturore dhe në kuadër të procesit të rindërtimit.
Rreth një muaj më parë, Kryeministri Edi Rama nënkuptoi se shumë projekte dhe investime infrastrukturore dhe në kuadër të rindërtimit po kërcënoheshin nga kriza e çmimeve për shkak të rritjes me tre herë të çmimit të hekurit, të çimentos dhe të materialeve të tjera të ndërtimit.
Me këtë ndërhyrje, Qeveria parashikon që të mbulojë rreth një të tretën e kostos së shtuar të proceseve të ndërtimit.
Voxnews.al konfirmon se prej të paktën fundit të muajit gusht ka pasur një presion të shtuar të kompanive ndërtuese dhe atyre që kanë fituar tendera në kuadër të rindërtimit dhe infrastrukturë për ndërhyrje të qeverisë.
Tenderat dhe kontratat me këto kompani janë nënshkruar para krizës së çmimeve. Me shpërthimin e kësaj krize, kostoja e ndërtimit, sipas kompanive tejkalon fondet e vëna në dispozicion nga qeveria në këto tendera.
Sipas projektit të qeverisë, nga kompensimi do të përfitojnë kompanitë që kanë marrë kontrata në fushën e ndërtimit pas datës 1 janar 2020.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.