
Vendimi i Indisë, prodhuesi i dytë më i madh i grurit në botë, për të ndaluar pa afat eksportin e këtij produkti u reflektua menjëherë në tregjet ndërkombëtare.
Çmimi i grurit u rrit me 6 për qind në SHBA, duke kapur shifrën më të lartë të të gjitha kohërave.
Ndalimi i eksportit vjen pasi një valë e të nxehtit goditi të korrat e grurit të Indisë, duke i çuar çmimet vendase në një nivel rekord.
Kostoja e çdo nënprodukti, nga buka dhe ëmbëlsira te petët dhe makaronat është rritur muajt e fundit dhe ky vendim i Indisë pritet që t’i japë një tjetër valë rritjeje..
Qeveria e Indisë tha se do të respektojë kontratat aktuale me vendet dhe kompanitë "për të përmbushur nevojat e tyre të sigurisë ushqimore".
Zyrtarët qeveritarë thanë gjithashtu se ndalimi nuk ishte i përhershëm dhe mund të rishikohej në një moment të dytë.
Megjithatë, vendimi është kritikuar nga ministrat e bujqësisë nga G7 që u takuan në Gjermani.
"Nëse të gjithë fillojnë të vendosin kufizime eksporti, ose të mbyllin tregjet, kjo do të përkeqësonte krizën", tha ministri gjerman i ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir.
G7 është një organizatë e shtatë ekonomive më të mëdha në botë të ashtuquajturat "të avancuara", të cilat dominojnë tregtinë globale dhe sistemin financiar ndërkombëtar. Ato janë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.
Megjithëse India është prodhuesi i dytë më i madh në botë i grurit, ajo nuk ka qenë më parë një eksportues i madh pasi shumica e të korrave të saj shitet në tregun vendas.
Por, eksportet e grurit të Ukrainës ranë pas pushtimit rus dhe me thatësirat dhe përmbytjet që kërcënonin të korrat e prodhuesve të tjerë të mëdhenj, tregjet prisnin që një pjesë e mungesës të kompensohej nga India.