Sali Berisha ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, ku ka ftuar qytetarët e kryeqytetit të bëhen pjesë e protestës së të rinjve, të cilën e cilëson si një revoltë me rëndësi të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë.
Sipas kreut të demokratëve, shqiptarë nga diaspora pritet t’i bashkohen tubimit, duke shprehur mbështetjen e tyre për studentët dhe gjimnazistët që kanë dalë në protestë.
Berisha ka vlerësuar qëndrimin e të rinjve, duke e cilësuar atë si një shfaqje të jashtëzakonshme guximi. Ai ka pretenduar gjithashtu se protestuesit janë përballur me dhunë nga efektivë të policisë, të cilët i ka akuzuar me tone të ashpra.
"Tirana dhe Shqipëria nuk ka parë vajza dhe djem trima si ata, të cilët siç keni parë të gjithë, përballen dhëmb për dhëmb pa iu shkrepur syri me narkobanditë me uniformë, me narkobanditë të droguar, me kriminelë vrasës me pagesë dhe kanë fituar një simpati të madhe në mbarë shqiptarët", deklaroi Berisha
Kreu i PD-së tha se protesta ka fituar, sipas tij, mbështetje të gjerë mes shqiptarëve dhe ka tërhequr vëmendje edhe jashtë vendit.
“Jam këtu për të bërë thirrje të gjithë qytetarëve të kryeqytetit që të bashkohen me këtë protestë, me këtë revoltë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e këtij vendi”, deklaroi Berisha.
Ai e mbylli apelin e tij duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në protestë, ndërsa pritet të shihet se sa shqiptarë nga diaspora do t’i bashkohen tubimit.