
Ilirjana Kuçana i është përgjigjur Taulant Ballës, pas debatit për praninë e saj në protestat studentore, duke deklaruar se mbështetja për studentët vjen nga bindjet e saj si pedagoge dhe jo nga porositë e Sali Berishës.
Në një reagim të drejtuar kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kuçana kujton protestat studentore të vitit 2018, kur, sipas saj, Balla takohej fshehtas me Lulzim Bashën.
“Taulant, unë kam qenë në protestat e vitit 2018, kur ju takoheshit fshehtas me Lulin. Jam edhe sot dhe do të jem edhe nesër, sa herë që kauza studentore të ketë nevojë për mbështetje”, shkruan Kuçana.
Ajo mohon që pjesëmarrja e saj në protestat e fundit të jetë nxitur nga Sali Berisha, duke theksuar se qëndrimi i saj lidhet me bindjet personale dhe mbështetjen për kauzat studentore.
“Në protesta nuk më ka sjellë Saliu, por bindja ime si pedagoge dhe si mbrojtëse e kauzave studentore”, shprehet ajo.
Kuçana thotë se kundërshton modelet politike që, sipas saj, pengojnë demokracinë, si në Partinë Socialiste, ashtu edhe në Partinë Demokratike. Në reagimin e saj, ajo e zhvendos debatin nga prania në protestë te liria e mendimit dhe qëndrimet brenda partive politike.
“Por kam një pyetje për ty, Taulant: A guxoni t’i dilni kundër partisë suaj kur mendoni se ajo nuk vepron drejt? A guxoni ta thoni publikisht mendimin tuaj, edhe kur ai bie ndesh me qëndrimin e partisë?”, pyet Kuçana.
Në përfundim, ajo argumenton se demokracia nuk duhet të kërkohet vetëm në shoqëri dhe në protesta, por edhe brenda vetë organizimeve politike.
“Demokracia e vërtetë fillon aty ku njeriu ka guximin të mendojë ndryshe, të flasë lirshëm dhe të mos i nënshtrohet verbërisht asnjë partie”, përfundon reagimin e saj Kuçana.