Leonard Marku, bashkëshorti i Nevila Pjetrit, shqiptares që dyshohet se punonte si prostitutë në Itali e cila u gjet e pajetë në shtratin e lumit Parmignola rreth orës 02:00 të mëngjesit, ka treguar komunikimin e fundit me të. Ai ka thënë se Nevila ka dalë nga shtëpia në orën 07:30 dhe i ka thënë se do të pinte kafe me një shok italian.
“Nuk di ca të të them, për mua jeta ime ka marrë fund këtu. Nuk arrij dot ta pranoj që ajo nuk është më. Unë një vit kam që jam martuar me të. Ajo ka 15 vite që jetonte në Itali. Unë jam munduar vetëm ta ndihmoj dhe letrat unë ia kam bërë. Ne ishim martuar në komunë. Letrat që ia bëra nuk arriti dot t’i gëzonte. Unë do të bëj gjithçka për ta gjetur se çfarë i ka ndodhur”, thotë Leonard Marku për Tv Klan.
Leonardi përshkruan ditën e fundit të Nevilës gjallë dhe momentin që ajo doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më.
“Unë isha në shtëpi me gjithë gocën time që e kam nga martesa e parë. Ajo, nga ora 7:30, më tha po dal të pi një kafe me një shok italian. Puthi gocën dhe iku. Unë ndenja me babain tim dhe gocën në shtëpi se kam prurë babain këtu se ka sëmundje të keqe. Edhe nuk u kthye më. Ajo më ka thënë se punonte në kampegje, këto si varka domethënë, por unë nuk kam qenë ndonjëherë. Ajo ikte gjithmonë vetëm. Unë jam i rregullt këtu prej 15 vitesh. I kam thënë dhe shtetit që më kanë në gadishmëri për çdo gjë”, shprehet ai.
A tentoi Leonardi ta kontaktonte dhe të pyeste përse po vonohej?
“Mua më kishte marrë gjumi, se ajo atë natë do të flinte me gocën se të shtunë dhe të dielë goca ime e ka pushim nga shkolla dhe flinin bashkë. Kur u zgjova e pashë që nuk është në shtëpi dhe direkt provova të komunikoj me telefon por ajo e kishte të fikur. Në momentin që unë desha të shkoj në polici dhe të bëja denoncim për humbjen, erdhi vetë policia tek unë. Në përfundim të hetimeve dhe autopsisë unë do të bëj të pamundurën që ta sjellë dhe ta varros në Shqipëri afër nënës së saj”, deklaron Leonardo Marku.
Nevila Pjetri kishte dëmtime në fytyrë, gërvishtje në krahë, ishte gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar në gjak. Por vrasësi ishte siguruar që të mos linte asgjë gjurmë në vendin e krimit. Deri më tani nuk ka asnjë shenjë që ajo të jetë përpjekur të mbrohej. As rrobat e humbura të saj, çanta e dorës apo dokumentet e viktimës nuk janë gjetur.
Hetimet nga ana e autoriteteve italiane vijojnë për të zbardhur se kush ia mori jetën Nevilës dhe çfarë ndodhi me të mesnatën e 5 Qershorit.