Gjatë kërkimeve për kapjen e Blerim Selacit në Fushë Krujë, policia ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Ky ambient është gjetur në banesën e 44-vjeçarit Selaci, i cili plagosi sot komshiun e tij Lufti Kupa.
Uniformat blu kanë sekuestruar bimë narkotike në proces tharjeje, si dhe pajise elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, gjatë kontrollit, efektivët kanë gjetur edhe një armë zjarri pistoletë me mulli dhe municion luftarak.
Plagosja e Lufti Kupës nga Blerim Selaci ndodhi pas një konflikti mes të dyve, detajet e të cilit ende nuk dihen se përse ka nisur. Policia vijon kontrollet për kapjen e Selacit, ndërsa Kupa ndodhet te spitali i Traumës i plagosur në këmbë.
Burime bëjnë me dije se i plagosuri Lufti Kupa është djali i xhaxhait të Ilir Kupës, kreu i bandës së “Babagjyshëve”, që njiheshin për grabitje të pikave të karburanteve, argjendarive dhe vilave në qytete të ndryshme. Mes grabitjeve të famshme të grupit është ajo e vitit 2014 në një qendër tregtare në Tiranë ku u futën dhe morën një sasi të konsiderueshme floriri.
Ilir Kupa është dënuar me 45 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.