Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri ka reaguar pas akuzave të deputetit Agron Shehaj se Qeveria ka shpallur investitor strategjik djalin e xhaxhait të tij, për të ndërtuar një resort pranë parkut arkeologjik të Butrintit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjiknuri e mohon se personi në fjalë është djali i xhaxhait të tij. Ai paralajmëron padi për shpifje ndaj Agron Shehajt dhe sipas tij, deputeti demokrat duhet ta dëmshpërblejë për cënim të qëllimshëm të imazhit.
"E siguroj deputetin Agron Shehaj se unë nuk jam si ata të partisë së tij që mohuan baxhanakun e ndjerë në Gërdec. Nuk kam ama se si të pranoj që çdokush që mban mbiemrin Gjiknuri dhe që merret me biznes duhet të jetë automatikisht djali i xhaxhait tim. Çdokush mban përgjegjësi e përgjigjet për ato që bën. Le ta provojë gjykata e do ta mbaj unë përgjegjësinë, por nëse unë nuk e kam djalë xhaxhai personin e përgojuar nga Agron Shehaj, atëhere Agroni duhet të më dëmshpërblejë për cënim të qëllimshëm të imazhit!" - shkruan Gjiknuri.