Zbardhet plagosja e rëndë në Kombinat ku u qëllua me armë zjarri Murteza Lika.
Mësohet se Lika është plagosur nga një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Lutfy Gjyli.
Bëhet me dije se autori është arrestuar, ndërkohë nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes.
"Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, i cili bën fjalë se në Kombinat është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi M. L., 60 vjeç, ju sqarojmë se:
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit, autori i kësaj ngjarje, shtetasi L. Gj., efektiv i FNSH-së, i cili gjatë kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur.
Grupi hetimor i krijuar nga Agjensia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", njoftoi policia.
Çfarë njoftoi më herët policia
“Më datë 23.05.2022, rreth orës 20:45, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, shtetasi M. L., rreth 60 vjeç, banues në Kombinat, i cili në rrethana ende të paqarta, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri.
Nuk dihen rrethanat nëse është vetëplagosur apo e kanë plagosur.
Paraprakisht dyshohet se ky shtetas vuan nga probleme të shëndetit mendor”, njoftoi më herët policia.