Përplasja me armë me efektivin, arrestohet duke pirë kafe Juxhin Todi (Aliaj)

7 May 2022, 15:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Përplasja me armë me efektivin, arrestohet duke pirë kafe Juxhin

Policia e Vlorës ka arrestuar Juxhin Todi (Aliaj), i riu i cili u përplas me armë me efektivin e "Delta Force", Lisjan Myrtaj në qytetin bregdetar. Mësohet se ai është arrestuar nga forcat "Shqiponja" tek një lokal në qendër të qytetit duke konsumuar kafe.

Fatmirësisht nuk pati asnjë të plagosur nga të shtënat e pistoletave. Më herët policia arrestoi dhe efektivin Lisjan Myrtaj, por u lirua më pas nga gjykata pas pretendimeve se qëlloi për vetëmbrojtje, duke e lënë në "detyrim paraqitje". 

Gjatë seancës gjyqësore, efektivi Lisjan Myrtaj ka treguar dhe dinamikën e ngjarjes sipas tij.

“Më tha, hajde pak tek makina dhe më nxori armën. Makina ishte parkuar në një cep pallati për t’iu fshehur kamerave. Kur u afrova, më nxori pistoletën që e mbushi dhe filloi të më shajë. Në momentin që pistoleta u shkrep, u bllokua apo shkrehu nuk kuptova mirë, nxora armën për vetëmbrojtje. Qëllova nga pjesa e poshtme, brenda rregullave si uniformë policie. Juxhini po tentonte të qëllonte kur po largohej me vrap, qëllova dhe unë disa herë. Nuk u largova nga vendi i ngjarjes, prita patrullat e policisë që të më merrnin dëshminë. Ju shpjegova ngjarjen dhe rrugën nga u largua Juxhin”, ka deklaruar efektivi.

Në vendngjarje në lagjen “10 korriku”, policia konfirmoi se ka pasur të shtëna nga më shumë se një armë pasi janë gjetur dy lloje gëzhojash, një model që i përket armës së punës së policit Lisjan Myrtaj dhe modeli tjetër dyshohet se Juxhin Todit. Ky i fundit u largua nga vendngjarja, por tashmë u kap nga drejtësia dhe do dalë para drejtësisë.

Juxhin Todi (Aliaj) është djali i kryeplakut të Kaninës. Dyshohet se sherri ka nisur për një femër.


Video