Themeluesi i “Emaar Properties” Mohamed Al Alabbar deklaroi sot se punimet për ndërtimin e portit turistik në Durrës mund të nisin për 2 ose 3 muaj maksimumi.
“Ndërtimi mund të nisë për dy muaj ose tre maksimumi”, tha Mohamed Alabbar në një intervistë për Euronews Albania.
Ai tha se gjatë punës po përmirësojnë vazhdimisht detaje dhe për këtë arsye kostoja fillestare e projektit që parashikohej në 2 miliardë dollarë ose euro mund të rritet.
Sipas Alabbar, porti turistik i Durrësit do të ofrojë mundësi argëtimi dhe do të ketë hapësirë për çdo kërkesë të klientëve.
Ai shtoi gjithashtu çmimet do të jenë të përshtatshme për nivelin ekonomik të Shqipërisë.
“Ne jemi në Shqipëri ndaj dhe çmimet do të përshtaten me Shqipërinë. Do të ketë ndryshim mes atyre rezidencave apo hapësirave që shikojnë nga deti, apo nga marina dhe kjo varet edhe nga cilësia.
Do të ketë një variacion të çmimeve, por gjithsesi duke qëndruar në nivelin e Shqipërisë. Shërbimi që ne do të ofrojmë, do të sjellë kënaqësi për shqiptarët. Ne do të mundohemi të qëndrojmë brenda nivelit të Shqipërisë për punën e çmimeve. Ne e kemi studiuar tregun për disa vite, sipas tij”.
Mohamed Al Alabbar
Alabbar theksoi se vetëm një pjesë e rezidencave do të shiten, ndërsa dyqanet do të jenë në pronësi të kompanisë, për të ruajtur cilësinë e shërbimeve.
Dje është nënshkruar Memorandum i Bashkëpunimit për ndërtimin e portit turistik të Durrësit.
Investimi prej 2 mld dollarësh është një bashkëpunim midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”.