Gjykata e Durrësit ka dhënë ditën e sotme masat e sigurisë për shtetasit Arben Ferizi dhe Egert Vargu. Gjyqtar Vladimir Skënderi ka caktuar masën “arrest me burg” pa afat për shtetasin Arben Ferizi dhe “arrest me burg me afat” 18 ditë për shtetasin Egert Vargu.
Ata u arrestuan tre ditë më parë. Ferizi është administratori i kompanisë që kishte porositur pula nga Brazili dhe në kontejner u gjetën 45 kg kokainë, ndërsa Vargu është agjent doganor, si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Që të dy të arrestuarit kanë mohuar të kenë pasur dijeni apo lidhje me trafikimin e lëndës narkotike. Para hetuesve, Vargu ka mohuar të ketë lidhje me kokainën dhe ka deklaruar se është agjent i pavarur doganor dhe se punon bashkë me gruan.
“Nuk është puna ime. Puna ime është të merrem me dokumentacionin”, mësohet të ketë thënë ai.
Të njëjtën linjë ka ndjekur edhe administratori i kompanisë, Arben Ferizi i cili ka deklaruar: “Nuk kemi lidhje me drogën. Kompania ka porositur mish pule dhe të gjithë veprimet ne i bëjmë online. Porosisim online dhe nuk kemi nga ta dimë se çfarë ka në kontejner. Kompani ka vite që merret me prodhimin e salsiçeve dhe është shumë e suksesshme. Nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës. Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje, nuk kam dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontejner”.
Sasia prej 45 kg kokaine u kap mbrëmjen e së mërkurës në portin e Durrësit, në kontejnerin me mish pule të porositur nga një kompani e përpunimit të mishit me seli në Kosovë, për llogari të një filiali në Maqedoninë e Veriut. Droga mendohet se kishte dy porositës, kjo për shkak se edhe pakot (40)ishin të ndara, me imazhe të ndryshme, por që si personazh kryesor kishin protagonistin e filmit të animuar “Goku” dhe “Budën”.