Dy operacioni policore janë ekzekutuar brenda 12 orëve nga Policia e Tiranës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar "Kontaktuesit" janë arrestuar tre adoleshentë, shpërndarës kanabisi. Në pranga janë vënë shtetasi H. D., 17 vjeç, R. B., 16 vjeç dhe M. U., 17 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Policia iu ka gjetur tre të rinjëve gjatë kontrollit fizik dhjetëra doza me cannabis sativa. Sipas burimeve zyrtare, këta shtetas, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në zonën e quajtur "Ish-parku" dhe në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.
Po ashtu, është vënë në pranga dhe një 32-vjeçar në kuadër të operacionit policor të koduar "Sharra". Bëhet fjalë për shtetasin R. L.banues në Tiranë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se 32-vjeçari kishte kultivuar bimë cannabis sativa, në fshatin Sharrë, në vendin e quajtur "Përroi i Lamucve". Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me bimët narkotike.
"Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi R. L., pasi kultivonte bimë narkotike, e përgatiste lëndën narkotike cannabis sativa në doza, gjithashtu siguronte lëndë narkotike kokainë, të cilën e ndante në doza, dhe i shiste më pas, në zona të ndryshme të Tiranës." thuhet në njoftimin e Policisë
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.