E gjithë drejtoria e Tatimeve në Fier ka marrë vërejtje dhe paralajmërim me shkarkim nga shërbimi i punonjësit civil pas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit që përfshiu periudhën trevjeçare nga 2018 deri në 2020.
Janë gjetur shkelje të shumëfishta, madje edhe të procedurave elementare që duhet të kryejë një punonjës i tatimeve dhe ka dalë në përfundimin se këto shkelje i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik rreth 25 milion lek.
Shifra mund të duket modeste, por ajo është alarmante, po të kihet parasysh se bëhet fjalë për shkelje të gjetura gjatë punës rutinë të tatimorëve.
Në raportin e bërë publik se inspektorët e kontrollit tatimor nuk kanë zbatuar pikat e programit dhe të manualit të kontrollit dhe legjislacionin, ose e thënë më thjesht nuk kanë njohuri, ose nuk kanë dashur që të zbatojnë ligjin.
Ata kanë shmangur rakordimin e blerjeve në formularët e deklarimit të pagesave me ato të deklaruara në pasqyrat financiare nga ana e subjekteve në vëzhgim. Ky është hapi elementar për të shmangur evazionin fiskal nga ana e bizneseve.
Për ta përforcuar shkeljen, auditi thotë se nuk janë kryer analizat e shitjeve, apo rritjes së çmimit, nuk kanë verifikuar diferencën tatime/dogana, konstatohen diferenca në inventar, madje nuk kanë analizuar saktë edhe në ato raste kur është kryer bilanci material, nuk janë kryer analizat e shpenzimeve për zërat kryesore të zhvillimit të aktivitetit referuar kartës teknologjike, nuk pasqyrojnë në raport kontrolli situacionet e punimeve.
Këto veprime bien ndesh me ligjin për procedurat tatimore, ligjin për TVSH-në dhe ligjin për tatimin mbi të ardhurat.
Për këtë arsye, auditi i rekomandon drejtorisë Tatimore Fier, pasi të ketë analizuar përgjegjësitë e personave përgjegjës në lidhje me shkeljet e konstatuara në praktikat e kontrollit operacional të marrë masat disiplinore vërejtje deri në largim nga shërbimi civil për 13 punonjës të Drejtorisë së Kontrollit.