Mbi 33 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të dytë të Maturës Shtetërore këtë të shtunë.
Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nis në orën 10:00 dhe mbyllet në 12:30.
Në disa shkolla të përcaktuara si ambiente për zhvillimin e testimit, janë vendosur bllokues valësh në mënyrë që të shmanget kopjimi përmes telefonit, si dhe ka dedektorë në hyrje për të zbuluar çdo aparat që mund të tentojnë të fusnin nxënësit.
Dy ditë më parë, maturantët dhanë provimin e gjuhës së huaj. Më datë 17 qershor ata kanë provimin e matematikës dhe me 24 qershor është provimi i fundit i lëndës me zgjedhje.
Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë.
Maturanti vlerësohet kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Për sa i përket përgjigjes së provimeve, afati për të dalë është deri me 30 qershor.