Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur, Meri Lalaj.
Mësohet se ajo ishte në gjendje të rëndë shëndetësore prej disa muajsh, pasi Covid-19 e la me pasoja në mushkëri. Ajo e kaloi me vështirësi virusin, por ai i shkaktoi dëme të mëdha në mushkëri, duke i përkeqësuar shëndetin dita ditës.
Meri Lalaj lindi në Pogradec në vitin 1943. Shkollën e mesme e kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë-Letërsi Angleze.
Për tre vite ka punuar në gjimnazin e Korçës, pastaj shtatë vite ka qenë në internim me ish-bashkëshortin e saj, për të vazhduar punën e saj në një shkollë tetëvjeçare në Pogradec nga ku edhe doli në pension.
Meri Lalaj, gjatë viteve që punoi si mësuese, botoi shumë shpesh në gazeta të ndryshme artikuj, që kanë të bëjnë me problemet jetësore të vendit.
Që nga vitet e ‘90-të botoi dhe përktheu shumë libra, ndër të cilët mund të përmendim këtu, si: “Lasgushi në Poradec” (ditar), “Qentë nuk magullijnë më” (roman), “Gjethe vjeshte” (poezi), “Esenin – një jetë” (përkthim monografi), “Betoveni dhe Revolucioni Frëng” (përkthim), “Romeo dhe Xhulieta takohen” (mbresa për Kosovën), “Dashuri e ndaluar” (roman) etj.
Gjatë krijimtarisë së saj letrare, ajo është nderuar me disa çmime letrare, si: Çmimin Kombëtar për vëllimin me tregime, Çmimin për poezinë më të mirë si dhe çmime të tjera.