Edison Pulën e priste një makinë jashtë burgut

10 Qershor 2022, 12:23Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Edison Pulën e priste një makinë jashtë burgut

Detaje të reja kanë dalë nga arratisja e 27-vjeçarit Edison Pula nga burgu i Trevisos në Itali.

Mediet italiane bëjnë me dije se Pulën po e priste një makinë jo shumë larg murit rrethues të burgut.

Pula së bashku me 2 shqiptarë të tjerë prenë hekurat e qelisë dhe zbritën me çarçafë në oborr. 27-vjeçari Pula arriti të kapërcente murin dhe të humbet gjurmët, ndërsa dy të tjerët u kapën menjëherë dhe u rikthyen në qeli.

Mediet italiane shkruajnë se ndoshta ky ishte një plan për të lejuar Pulën të ikte.

Lajmin e arratisjes e dha sindikata Uilpa Polizia Penitenziaria, e cila drejton gishtin nga stafi i vogël i personelit të burgut.

Edison Pula u arrestua në shkurt, në qendrën tregtare Emisfero di Silea.

Ai ishte pjesë e bandës së grabitjeve të shtëpive dhe është ndër të dyshuarit për grabitjen në shtëpinë e naftëtarit Miotto në Mogliano Veneto.

Hetuesit e akuzojnë atë për 50 vjedhje të shënuara midis provincave Treviso dhe Belluno.

Por Pula po mbahej në Santa Bona me një urdhër-arresti evropian me akuzat për tentativë vrasje, grabitje, vënie eksplozivi dhe krime të tjera të trafikut të drogës, të gjitha të kryera jashtë Italisë.

Tani e gjithë policia italiane është vënë në kërkim të shqiptarit.

Koha luan në favor të të arratisurit dhe ndoshta ai ka arritur të largohet nga territori italian ku kërkohet aktivisht.


Vox Pop

Video